
Ambasadorët e Kosovës – Përfaqësim pa përmbajtje
Shkruan: NAZMI JUSUFI
Pozita e ambasadorit të një vendi është ndër më të rëndësishmet në diplomacinë shtetërore. Por në praktikën kosovare, kjo pozitë është shndërruar shpesh në një post ceremonial, pa përmbajtje konkrete, pa objektiva të qarta dhe pa ndikim real. Shumë prej ambasadorëve të Kosovës duken më tepër si funksionarë në një udhëtim të zgjatur sesa si përfaqësues të interesave shtetërore.
Përfaqësimi diplomatik i Kosovës në shumë shtete të botës është thuajse inekzistent kur flasim për rezultate konkrete. Janë të rralla, në mos të papërfillshme, rastet kur ambasadorët tanë kanë sjellë investime apo kanë hapur rrugë të reja bashkëpunimi ekonomik dhe institucional. Nuk ka nisma që ndërlidhin Kosovën me tregjet, teknologjinë, dijen apo potencialin që ofrojnë vendet mikpritëse. Një diplomaci moderne duhet të jetë aktive dhe zhvillimore – jo pasive dhe simbolike.
Akoma më shqetësuese është mungesa e kontaktit me mërgatën shqiptare në vendet ku veprojnë këta ambasadorë. S’ka të dhëna të sakta për numrin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë, punojnë apo studiojnë në ato vende. S’ka struktura bashkëpunimi, s’ka platforma për bashkëbisedim, e as strategji për përfshirjen e tyre në zhvillimin e vendit. Shpeshherë, ambasadorët sillen sikur janë të shkëputur nga realiteti i vendit që përfaqësojnë, por edhe nga bashkëkombësit e tyre.
Në vend të diplomacisë aktive dhe të organizuar, kemi heshtje institucionale, aktivitete formale dhe një mungesë të plotë llogaridhënieje. Këta përfaqësues nuk raportojnë publikisht për punën e tyre, nuk japin llogari për misionin që kanë marrë, dhe nuk ndjejnë përgjegjësi për mungesën e rezultateve. Kosova, për pasojë, mbetet e padukshme në shumë vende të botës – pa influencë, pa kontakte dhe pa një rrëfim të përfaqësuar siç duhet.
Ka ardhur koha për një reformë të thellë në diplomacinë kosovare. Ambasadorët duhet të zgjidhen mbi baza profesionale dhe me mandat të qartë – të matshëm përmes objektivave konkrete. Përfaqësimi shtetëror nuk guxon të reduktohet në një udhëtim komod me benefite të larta, por duhet të jetë një mision aktiv në shërbim të vendit.
Një diplomaci që nuk sjell rezultate, që nuk lidhet me mërgatën dhe që nuk hap rrugë zhvillimi, është një diplomaci që nuk i duhet Kosovës.