Ambasadori Faruk Ajeti jep lajmin e jashtëzakonshëm për korrigjimin e emërtimit të Prishtinës në platformat gjermane

16 shkurt 2026 | 12:10

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ka bërë të ditur një lajm të rëndësishëm për përfaqësimin korrekt të Kosovës në platformat ndërkombëtare të udhëtimeve. Dy nga platformat më të mëdha gjermane të turizmit, HolidayCheck dhe CHECK24, kanë korrigjuar përkatësinë e destinacionit të kryeqytetit të Kosovës, duke e ndryshuar nga “Priština” në “Prishtina” ose “Pristina”.

Sipas ambasadorit, ky ndryshim është bërë i mundur falë reagimit të qytetarëve dhe angazhimit të vazhdueshëm të diplomacisë së Kosovës, përkatësisht Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin.

“Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit tonë diplomatik, dy nga platformat më të mëdha gjermane të udhëtimeve, HolidayCheck dhe CHECK24, kanë korrigjuar përkatësinë e destinacionit Prishtinë, duke e ndryshuar nga ‘Priština’ në ‘Prishtina’ ose ‘Pristina’. Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete”, ka shkruar ambasadori Ajeti në njoftimin e tij.

Ai ka ftuar qytetarët që, në rast se hasin institucione apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet e saj nuk paraqiten në mënyrë korrekte, të njoftojnë Ambasadën përmes emailit zyrtar [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që pasaktësitë të adresohen dhe korrigjohen.

Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e prezantimit të drejtë të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe dëshmon se bashkëpunimi mes qytetarëve dhe institucioneve sjell rezultate konkrete.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtja e Jakup Krasniqit, ka thënë se nuk qëndron pretendimi…