Ambasadori gjerman viziton kampin ‘Bondsteel’, vlerëson profesionalizmin
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka vizituar trupat gjermane të KFOR-it të vendosura në kampin “Bondsteel” në Ferizaj.
Ai ka parë nga afër misionet aktuale, kapacitetet operacionale dhe pajisjet teknike që përdoren gjatë patrullimeve dhe vëzhgimeve kufitare përgjatë kufirit me Serbinë.
“Ushtarët gjermanë që shërbejnë në kuadër të KFOR në Kampin ‘Bondsteel’ janë pjesë e kontributit të Gjermanisë në misionin e udhëhequr nga NATO në Kosovë. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në përpjekjet paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, duke kryer patrullime, duke u trajnuar me partnerë dhe duke ruajtur kapacitete për të reaguar shpejt kur e kërkon situata e sigurisë”, ka njoftuar Ambasada e Gjermanisë.
Ai gjithashtu është takuar me togën lituaneze që aktualisht shërben si pjesë e kompanisë gjermane.
“Nga automjetet moderne të blinduara deri te sistemet e avancuara të mbikëqyrjes, Ambasadori vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e trupave në përmbushjen e mandatit të KFOR-it”, ka njoftuar Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.



