Ambasadori i Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu vizitoi “Shtëpinë Shqiptare” në Hamilton

25 shtator 00:49

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada Adriatik Kryeziu, është akredituar në misionin e tij në fillim të këtij viti, por shkaku i pandemisë COVID- 19 nuk ka mundur ta fillojë aktivitetin e tij me komunitetin shqiptar në Kanada, ndonëse ka qenë aktiv në diplomaci.

Duke respektuar rregullat e institucioneve shëndetësorë kanadeze rreth distancës sociale të kërkuar për raste të tilla, këto ditë ka filluar një turne nëpër qytetet kryesore të Ontarios dhe Kuebekut duke u njohur me komunitetin shqiptar këtu, udhëheqës shoqatash dhe me biznesmenë të profileve të ndryshme në Toronto, Hamilton, Montreal, Ottawa, London dhe Kitchener.

“Ai ka patur takime me përfaqësues shoqatash e personalitetesh të spikatura të Diasporës sonë, që njëherit janë kontribues të shkëlqyer të prezantimit të imazhit tonë në shoqërinë kanadeze”- thuhet në njoftimin e postuar në Facebook nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanada.

Ambasari Kryeziu së bashku me Konsullin e Përgjithshem të Kosovës në Toronto Donat Syla, vizituan “Shtëpinë Shqiptare” në Hamilton, qendër komunitare kjo e ngritur nga dora e vetë shqiptarëve të këtushëm. Ai u prit nga kryetari Fatmir Laçi me bashkëpunëtorët, i cili i njoftoi mysafirët për të arriturat e shoqatës mjaft aktive prej themelimit të saj më 2010 e deri më tani, ku vepron edhe Shkolla Shqipe.

Takime të rëndësishme ambasadori Kryeziu pati me znj. Ruki Kondaj, Kryetare Nderi e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze të Torontos me kryetarin e Shoqatës “Kosova” të Montrealit Blerim Matoshin, me kryetarin e Shoqatës Shqiptaro- Kanadeze “Iliria” të Londonit Besnik Rexhvelajn,  si dhe me kryetarin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Kanada Naser Berisha, Një takim të përbashkët ai e ka pasur edhe me klerikët e dy besimeve fetare, respektivisht me imamin e Xhamisë Shqiptare në Toronto Adnan Bërbatovci dhe priftin e Kishës Shqiptare në Toronto Don Pren Kola. Në të gjitha takimet ai i ka përgëzuar udhëheqësit për punën e palodhur që vazhdojne të bëjnë për promovimin e vlerave dhe traditave të kombit dhe forcimin e marrëdhënieve miqësorë midis Kanadasë dhe kombit tonë në përgjithësi. Ai ka shprehur gatishmërinë e tij në rolin Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kanada, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e sinqertë e të pakursyer.


Duhet thënë që para një muaji ai së bashku me ambasadorin shqiptar Ermal Muça kanë takuar edhe krerët kryesorë të shoqatave më të mëdha dhe aktive të Torontos.

Në një deklaratë për gazetën “Diaspora Shqiptare” ambazadori Kryeziu në fund të këtyre takimeve shprehet: “Me shumë interes bashkëbisedimi i ngrohtë është përshkuar me trajtimin e shumë projekteve të cilat me përkushtim dhe vullnet planifikojmë t’i realizojmë  konform rrethanave dhe kushteve të mundshme përkitazi me situatën pandemike në të cilën po kalojmë, në të mirë të komunitetit dhe Diasporës në Kanada. Në funksion të diskutimit mbi angazhimin e të bërit biznes, kudo në ambiente moderne pune, nga profile dhe industrie prej më të ndryshmëve, njoftohem nga afër edhe me veprimtarinë, kushtet e punën dhe të bërit biznes në Kanada në kohë pandemie. Një vëmendje e veçantë në këtë aspekt i është dhënë bashkëbisedimit mbi efektet dhe problemet me të cilat po përballet bizneset në Kanada, respektivisht bizneset e atyre që takuam. Rihapja ekonomike dhe rikthimin e kujdesshëm në normalitetet, pastaj informimi nga ana ime lidhur me programet institucionale kanadeze (CEBA, CERB, etj) për mbështetje ekonomike bizneseve, dhe jo vetëm, përbëjnë rrjedhimisht pjesë të bashkëbisedimit tonë.”

Ai pohon se “krahas informimit për mundësinë e të investuarit dhe zhvilluarit biznes në Kosovë, një rëndësie të veçantë në këto takime ka zënë ideja potencialisht për marrëveshje Kanada- Kosovë për punësim sezonal, e dalur kjo si kërkesë e vetë bizneseve të komunitetit tonë, për fuqi punëtore për profile të caktuara. Konkludohet me shumë kënaqësi se nga bizneset e vizituara, të njëjtat para së gjitash manifestojnë një rrëfim suksesi në aspektin e integrimit dhe zhvillimit në shoqërinë kanadeze, por të përcjellura edhe me kapital të lartë,  standarde dhe teknologji të avancuar në sferën e gastronomisë, ndërtimtarisë, mjekësisë, metalurgjisë, prodhimit, mobilierisë, patundshmërive, teknikes së bardhë e dizajnit,dhe shumë e shumë profileve tjera moderne”.

Ambasadori ka përfunduar takimet me përshtypjet më të mira të socializimit dhe integrimit të diasporës tonë në Kanada, dhe me entuziazëm në emër të Ambasadës së Kosovës në Kanada ofroi përkushtimin institucional për mbështetje dhe bashkëpunim të afërt me të gjitha bizneset dhe shoqatat e komunitetit të diasporës në Kanada, në çfarëdo forme të mundshme.


Në fund të deklaratës së tij ai shprehet: “Me këtë rast gjersa në mënyrë të veçantë falënderoj nga zemra komunitetin e Diasporës për mikpritjen e ngrohtë e shumë vëllazërore me rastin e kësaj vizite, në emër të Ambasadës së Kosovës në Kanada shpreha gjithë përkushtimin tim për bashkëpunim të hapur e sinqertë me të gjithë komunitetin e diasporës në përgjithësi.

Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin ta falënderoj komunitetin e Diasporës për kontributin dhe përkushtimin e tij të pa kursyer dhe krucial në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare në përgjithësi, sikurse edhe për të qenit një arterie lidhëse mes kombit tonë dhe shtetit mik kanadeze.”/diaspora shqiptare/-Shani Pnishi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas aktakuzës së Salih Mustafës, Gjykata Speciale ka lëshuar dokumentin…