GUBETINI: 6 VJET TË DHIMBSHME PËR KOSOVËN!
Veprimtari shqiptar që jeton dhe vepron në diasporë, Shqiptar Gubetini, ka reaguar në gjashtëvjetorin e arrestimit dhe dërgimit në Hagë të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në një mesazh të tij, Gubetini ka theksuar se këto gjashtë vite kanë qenë të dhimbshme për Kosovën, duke vlerësuar se në Hagë, përtej katër drejtuesve të UÇK-së, në sytë e shumë qytetarëve është vënë në gjykim edhe historia e luftës për liri dhe rrugëtimi drejt Pavarësisë.
Ai ka shprehur shqetësimin për dënimet e shqiptuara ndaj tyre, por edhe shpresën se drejtësia do të triumfojë në Gjykatën e Apelit.
“Për këto gjashtë vjet, në Hagë nuk kanë qenë vetëm katër drejtuesit e UÇK-së. Në Hagë, në sytë e shumë qytetarëve të Kosovës, është vënë në gjykim edhe historia e luftës sonë për liri dhe rrugëtimi drejt Pavarësisë.
Dënimet e shqiptuara ndaj tyre kanë rënduar edhe më shumë dhimbjen dhe shqetësimin në Kosovë. Megjithatë, sot shpresa jonë është te drejtësia, te Gjykata e Apelit dhe te besimi se në shkallën e dytë do të triumfojë drejtësia.
Kosova nuk e harron luftën për liri, sakrificën dhe gjakun e derdhur për Pavarësi!”, ka shkruar Gubetini.



