Ambasadori Kosnett s’flet për Asociacionin: Është punë e BE-së

01 tetor 2020 | 14:58

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, nuk ka pranuar që të komentojë çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, duke thënë se një temë e tillë i takon Bashkimit Evropian.

Kreu i ambasadës amerikane ka thënë se qeveria e tij e mbështet procesin e dialogut dhe shton se është mirë që të vazhdojnë tutje bisedimet paralelisht me iniciativën amerikane për normalizim ekonomik të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është një proces të cilin e drejton Bashkimi Evropian. Ne mbështesim këtë proces dhe mendojmë se është e rëndësishme që të vazhdojë paralelisht me iniciativën që qeveria ime ka ndërmarrë për t’u fokusuar në iniciativa ekonomike për të përmirësuar jetërat e njerëzve në Kosovë dhe Serbi”, ka thënë Kosnett.

Pavarësisht të insistimit në pyetjen për Asociacionin, Kosnett ka thënë se pyetje të tilla duhet t’i drejtohen Bashkimit Evropian apo edhe qeverisë së Kosovës.

“Unë nuk do të komentoj ndonjë çështje specifike që është në diskutim në procesin që drejton Bashkimi Evropian”, ka thënë Kosnett.

Këto pyetjet për dialog mendoj se do të duhet që t’iu drejtohen kolegëve nga BE dhe qeverisë në Kosovë”, ka thënë Kosnett kur është pyetur për deklaratën e kryeministrit Hoti se s’do të diskutojë për Asociacionin në tavolinën e dialogut në Bruksel.

Serbia dhe Kosova janë duke u përplasur rreth punës së Asociacionit, meqë Beogradi dëshiron të diskutojë në Bruksel një temë të tillë, derisa Hoti thotë se një gjë e tillë s’vjen në shprehje dhe se puna e Asociacionit ka marrë fund në vitin 2013.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), ka shënuar…