Ambasadori Minxhozi: Kosova shpëtoi turizmin e Shqipërisë

25 shkurt 2021 | 14:52

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi në një intervistë për Telegrafi.com me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se qytetarët nga Kosova e kanë shpëtuar turizmin e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar.

Minxhozi ka thënë se gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, është shquar një solidaritet ndërmjet autoriteteve shqiptare më ato të Kosovës.

“Është shquar një solidaritet ndër institucional të autoriteteve të Shqipërisë të të gjitha fushave me autoritetet e Kosovës. Natyrisht ka pasur një rënie të ekonomisë në masën 10 për qind të shkëmbimeve krahasuar një vit më parë, që është diçka krejt normale, më e vogël se në atë çfarë mendonim më parë të ndodhte. Në qoftë se Shqipëria dhe Kosova gjatë vitit 2019 kanë shkëmbyer 307 milionë euro, në vitin 2020 kjo shifër ra në 275 milionë euro. Me gjithë masat që kanë qenë si në Shqipëri dhe Kosovë, bizneset kanë mundur të shkëmbejnë produktet që i kanë shkëmbyer më parë, kur nuk kanë pasur pandemi”, u shpreh Minxhozi.

Sipas tij, përveç rënies së shkëmbimeve tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, sektori që ka pësuar rënien më të madhe ishte ai i turizmit.

Minxhozi tutje ka dekalruar se ishin vizitorët nga Kosova që e kanë shpëtuar turizmin në Shqipëri. “Sektori më tepër i goditur ka qenë turizmi, por nga ana tjetër ne mendonim se kjo do të ishte më fatale. Gjatë vitit 2020, kemi 40 për qind më pak turizëm se sa në vitin 2019. Jo se ka munguar vizitori i Kosovës për të shkuar në Shqipëri, por ka munguar vizitori i jashtëm i Kosovës, diaspora që janë në Gjermani e Zvicër e që nuk kanë ardhur në Kosovë dhe nuk iu kanë bashkangjitur familjeve të tyre të shkojnë në Shqipëri. Prandaj, numri i vizitorëve nga Kosova nuk ka qenë më i paket se vitet tjera. Natyrisht ishte një vit shumë i trishtë dhe ne mendojmë se viti 2021, po të kemi një verë më të mirë, numri i vizitorëve do të rritet, por dhe shkëmbimet ndërmjet nesh do të janë më të mëdha. Ajo se çfarë është e rëndësishme, ne e themi me gojën plotë se, Kosova sivjet shpëtoi turizmin e Shqipërisë”, shprehet ai.

Në këtë intervistë, ambasadori Minxhozi ka folur edhe për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe për dialogun politikë të Kosovës me Serbinë. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Galicia, rajoni autonom i Spanjës, është i pari që do…