Ambasadorja Çitaku kërkon përfundimin e mandatit të UNMIK-ut

10 qershor 2019 | 18:32

Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka kërkuar edhe një herë përfundimin e mandatit të UNMIK-ut, duke thënë se nuk ka asnjë arsye për vazhdimin e punës së misionit të OKB-së pasi Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe i kryen të gjitha detyrat e veta.

Gjatë fjalimit në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për punën e rregullt të UNMIK-ut në Kosovë, Çitaku ka theksuar se më mirë do të ishte që resurset që ndahen për UNMIK-un të përdoren diku tjetër.

“Kosova ka pasur të drejtë me rastin e shpalljes së pavarësisë dhe nuk ka pasur asnjë shkelje. Situata në Kosovë më 2019 është shumë më ndryshe në krahasim me atë kur erdhi UNMIK-u. Vendi ynë po bëhet më i integruar në bashkësinë ndërkombëtare. Ne nuk shohim arsye për vazhdimin e mandatit të UNMIK-ut, pasi Kosova e qeveris vetveten. A mund dikush në këtë sallë të më tregojë se cila është puna e UNMIK-ut aktualisht në Kosovë. Resurset e ndara për këtë mision do të ishte më e mirë të shfrytëzohen për diku tjetër. Policia e Kosovës vepron me standardet më të larta të profesionalizmit dhe integritetit, dhe është partner kredibil në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit, për të parandaluar komplotet e rrezikshme”, është shprehur Çitaku.

Më tutje, ajo ka folur edhe rreth aksionit të Policisë së Kosovës më 28 maj në veri, me qëllim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Në përputhje me kërkesën e gjykatës dhe me udhëzimet e zyrës së prokurorit special, Policia e Kosovës ka kryer 19 arrestime, prej tyre 11 serbë, katër shqiptarë dhe katër boshnjakë. Policët janë suspenduar nga puna dhe Policia e Kosovës nuk është ballafaquar me rezistencë me përjashtim në Zubin Potok, ku u ballafaqua me të shtëna nga armët dhe post-blloqe të vendosura nga serbët. Me këtë rast, policia ka arrestuar shtatë civilë, në mesin e tyre edhe një diplomat i Kombeve të Bashkuara, i nacionalitetit rus. Ky i fundit ka përdorur automjetin zyrtar të OKB-së për të vendosur barrikadën për të parandaluar policinë e Kosovës të kryejë detyrën e tyre. Ai ka përdorur automjetin për të transportuar një motor-sharrë, e cila është përdorur për të prerë drurët që janë hedhur në rrugë për të parandaluar kalimin e Policisë së Kosovës në Zubin Potok. Ai qëllimisht ka vendosur automjetin e tij para këtyre drunjve për të përforcuar barrikadat. Ai ka refuzuar të bashkëpunojë dhe ka mohuar të ofrojë dokumentet identifikuese. Në ditët në vijim atij i është refuzuar qëndrimi në Kosovë dhe ai është transportuar për në Beograd”, ka deklaruar Çitaku.

Për më tepër, ajo ka bërë me dije se të gjitha autoritetet relevante kanë qenë të njoftuara për operacionin në veri, ndërsa ka kërkuar hetime për veprimin e pjesëtarit rus të UNMIK-ut, i cili sipas saj ka penguar Policinë e Kosovës e kryerjen punën e saj.

Ambasadorja Çitaku ka akuzuar Beogradin zyrtar për retorikën e luftë nxitjes dhe frikësimin e popullatës, ndërsa ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut, duke thënë se është Serbia ajo e cila nuk dëshiron vazhdimin e këtij procesi.

Ndërsa, sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Çitaku ka thënë se është Beogradi zyrtar që po frikëson serbët lokalë të Kosovës, përmes arrestimit të tyre. Ajo ka përmendur se kryeministri serb Vladan Gjorgjeviq, në vitin 1913 kishte ofenduar shqiptarët duke i quajtur si “njerëz me bisht” dhe se këtë retorikë e ka vazhduar edhe në shekullin 21 kryeministrja Ana Brnabiq, e cila ka thënë se “shqiptarët janë njerëz që kanë dalë nga mali”.

Sa i përket fotografisë së prezantuar nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ambasadorja Çitaku ka thënë se “ajo çka bëri Flora Brovina është dënuar unanimisht në Kosovë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka thënë se…