Basha: Ilir Meta nuk do të shkarkohet nga posti i presidentit

10 qershor 2019 | 18:24

Lideri i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka thënë se presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nuk mund të shkarkohet nga posti i kreut të shtetit

“Edi Rama nuk do që të flitet për krimin, drogën dhe vjedhjet e tij të përditshme. Ai nuk do që të flitet për Avdylajt dhe Dakot, për Çyrbet dhe Shullazët, për Gjiknurët, Manjat dhe Lalët. Edi Rama po kërkon të vërë në skenë një telenovelë me dramacitet zgjedhor dhe presidencial, me shpresën që të harrohet fakti, se Astrit Avdylaj është ‘de fakto’ kryetari i Partisë Socialiste të Durrësit, kryebashkiaku i Durrësit, kryepolici, kryedoganieri dhe kryetatimori i Durrësit. Ky është fakti më i rëndësishëm politik i gjashtë viteve të fundit: fakti që provoi shkrirjen në një të krimit, Partisë Socialiste dhe qeverisjes socialiste”.

“Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë presidentin? Ilir Ndrazhi përfaqësuesi politik i bandës së Avydylajve apo Jurgis Çyrbja, përfaqësuesi politik i bandës së Shullazit, Rrahman Rrahja apo Luan Harusha përfaqësuesi i bandës së Bajrave, apo Reme Lala, përfaqësuesja e familjes kriminale Lala? Kush do ta gjykojë dhe shkarkojë Presidentin, Damian Gjiknuri që donte të pastronte 30 milionë euro për llogari të Edi Ramës, duke falsifikuar edhe dokumentet zyrtare të Qeverisë amerikane? Apo Arben Ahmetaj përfaqësuesi i një klani mafioz ndërkombëtar të plehrave? Apo Taulanti i Begos dhe i Toyota Yaris?,ka pyetur Basha.

Ai ka thënë se mbështet plotësisht vendimin e presidentit Meta për të shfuqizuar dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

”Nuk më takon as mua të gjykoj vendimin e presidentit, ndonëse e mbështes plotësisht. Politikisht unë mund të them që zgjedhjet moniste nuk janë zgjedhje. Politikisht unë mund të them se vendimi kushtetues dhe i përgjegjshëm i presidentit i shërben njerëzve dhe interesit publik. Përtej çdo mendimi individual, ka një dhe vetëm një institucion që mund të shprehet: Gjykata Kushtetuese. Këtë gjykatë e ka shkatërruar me krenari dhe mburrje Edi Rama, sikurse ka shkatërruar edhe Gjykatën e Lartë, dhe ajo sot nuk mund të shprehet”.

“Beteja jonë për Shqipërinë si gjithë Evropa vazhdon me vendosmëri. Asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin. Shumëkush është në ankthin e asaj që do të vijë, shumë të tjerë të ndarë padrejtësisht në ‘ne’ dhe ‘ata’ presin se çfarë do të ndodhë. Ajo që dua t’ju garantoj sot, është se në fund të kësaj beteje do të fitojë Shqipëria, do të fitojnë dhe përfitojnë shqiptarët, do të triumfojë e drejta, liria, demokracia. Të flasim hapur, do të ketë edhe të humbur, por ata janë vetëm një grusht i vogël pushtetarësh të korruptuar, oligarkësh dhe kriminelësh që sot vendosin për gjithçka dhe marrin gjithçka. Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Basha në një konferencë për medie. /Top Channel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka…