Ambiciet revanshiste serbe, ndesh me realitetin amerikan të shtetësisë së Kosovës

19 qershor 2025 | 16:52

Shkruan: Hisen Berisha

(Kërcënimi serb ndaj Kosovës është, në mënyrë të tërthortë, një sfidë ndaj vullnetit amerikan)

Deklarata e fundit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq – “Në fund Serbia do të fitojë”, në kontekstin e raportit me Kosovën, nuk është thjesht një retorikë populiste për konsum të brendshëm.

Ajo përbën një kërcënim të kamufluar politik, që sfidon hapur realitetin e shtetësisë së Kosovës dhe aleancën e saj strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën perëndimore.

Kjo gjuhë, në thelb, e afron diskursin serb me atë të regjimeve si Irani kur flasin për Izraelin apo SHBA-në, me gjuhë fiksionale për “fitore” të ardhshme që bien ndesh me të gjithë parametrat e rendit ndërkombëtar ekzistues.

Vuçiq injoron faktin thelbësor që Kosova është një realitet i konsoliduar, i mbështetur nga SHBA, një produkt strategjik i politikës amerikane në Evropën Juglindore, i ndërtuar me sakrifica, gjak dhe vizion afatgjatë të stabilitetit euroatlantik.

Që nga ndërhyrja e NATO-s më 1999, e deri në shpalljen e pavarësisë me 2008, dhe mbështetjen e vazhdueshme amerikane deri më sot, shtetësia e Kosovës është jo vetëm e pakthyeshme, por edhe e garantuar nga interesat gjeostrategjike të SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Kur Vuçiq shprehet se “nuk do të duhet shumë kohë që uji të rrjedhë poshtë Savës e Danubit që njerëzit ta vënë re”, ai nënkupton një ndryshim të mundshëm të rendit gjeopolitik. Por kjo shprehje poetike është e zbrazët përballë strukturave reale të fuqisë. Rendi ndërkombëtar nuk matet me rrjedhën e ujit në Danub.

Nëse Serbia llogarit në ndonjë rikthim të influencës ruse apo ndonjë turbullirë ndërkombëtare për të zhbërë shtetin e Kosovës, atëherë kjo përfaqëson një strategji të rrezikshme të vetëizolimit dhe përplasjes me Perëndimin. E vetmja mundësi është nëse kjo zhbërje vije nga brenda, përmes devijimit të kursit të veprimit politik dhe orientimit strategjik kombëtar.

Sot, Evropa përballet me pretendimet ruse ndaj kontinentit, me agresionin rus në Ukrainë dhe me tendenca autoritariste në disa rajone.

Në këtë kontekst, çdo flirtim me logjikën e revizionizmit territorial është i papranueshëm për vet Serbinë, sepse do ta vërë para detyrimit për rikuperimin e padrejtësive historike, ngase vet Serbia mban 1/4 e territoreve autoktone shqiptare ndërsa popullin ia ka nënshtruar asimilimit të dhunshëm.

Prandaj të bësh krahasime me rrjedhën e ujit në Sava e Danub, ndërsa në terren ekziston një realitet i pakontestueshëm – shteti i pavarur i Kosovës, i njohur nga mbi 100 vende dhe me bazë ushtarake amerikane në zemër të saj, është të përjetosh një iluzion gjeopolitik. Pra Serbia është në udhëkryqin ku duhez të zgjedh ose rrugën e normalizimit, ose përshkallëzimit.

Në Kosovë, SHBA-ja ka ndërtuar një partner strategjik, një shtet mik, me bazë ushtarake (Bondsteel), me institucione demokratike, dhe një popullsi që është në përqindje të lartë pro-amerikane. Kjo nuk është thjesht një miqësi, por një realizim strategjik i ShBA-së në zemër të një rajoni ende të paqëndrueshëm. Kërcënimet verbale nuk e zhbëjnë investimin amerikan në Ballkan.

Çdo kërcënim ndaj Kosovës është, në mënyrë të tërthortë, një sfidë ndaj vullnetit amerikan, dhe historia e ka treguar se sfidimi i këtij vullneti nuk ka prodhuar kurrë fitim për ata që e kanë provuar.

Në vend të konfrontimit, është koha për pranimin e realitetit nga Presidenti Vuçiq dhe lidershipi serb. Do të duhej (sikur të mos ishin serb) të lëviznin drejt një kursi të realpolitikës, e cila e pranon se Kosova është shtet, dhe këtë realitet nuk mund ta ndryshojë asnjë valë në Danub, e asnjë aleancë kalimtare me fuqitë që e sfidojnë Perëndimin.

Në vend të deklaratave të errëta për “fitore” të pashpjeguara, Serbia do të duhej të punonte për të fituar paqen dhe prosperitetin, përmes një marrëveshjeje përfundimtare që i hap rrugën integrimit të saj evropian.

Në fund, historia nuk e shpërblen ambicien, por vizionin. Dhe vizioni i Perëndimit është i qartë: një Kosovë sovrane, paqësore dhe partnere e përhershme e botës demokratike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është liruar personi që është arrestuar të enjten para Kuvendit…