Amerika në pritje të rezultateve të zgjedhjeve

09 nëntor 2022 | 11:14

Fati i aspiratave politike të presidentit amerikan, Joe Biden për pjesën e mbetur të mandatit të tij të parë varet në fije të perit, ndërsa vendi pret rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit që do të përcaktojnë se cila parti politike kontrollon Kongresin për dy vitet e ardhshme.

Gara për Senatin në disa shtete ishte shumë e ngushtë të mërkurën, ndërsa në disa të tjera drejtuesit aktualë po ecin mirë. Zyrtarët zgjedhorë në të gjithë vendin kanë paralajmëruar se mund të duhen ditë përpara se rezultatet të jenë përfundimtare.

Republikanët duket se do të kenë më pak vende sesa pritej në Dhomën e Përfaqësuesve, megjithëse mund të fitojnë mjaftueshëm për të marrë kontrollin e saj.

Të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve janë në garë sikurse edhe 35 nga 100 vendet në Senat, i cili aktualisht është i ndarë midis demokratëve dhe republikanëve, me nënpresidenten Kamala Harris, vota e së cilës është përcaktuese. Së këndejmi republikanët duhet të marrin vetëm një vend për të siguruar shumicën.

Mbi 45 milionë persona kanë votuar tashmë nëpërmjet votimit të hershëm dhe disa analistë sugjerojnë se numri i përgjithshëm i votuesve do t’ia kalojë totalit prej 115 milionësh që pati në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018.

Me të gjithë vëmendjen tek zgjedhjet, amerikanët votojnë pa probleme madhore
Dy shtete bënë historinë. Marilendi zgjodhi guvernatorin e parë me ngjyrë, demokratin Wes Moore. Masaçusets do të ketë guvernatoren e parë femër dhe shefen ekzekutive të parë lesbike, Maura Healey, gjithashtu një demokrate.

Në Arkansas, ish-sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë në kohën e presidentit Donald Trump, Sarah Huckabee Sanders, një republikane, u zgjodh guvernatore siç pritej. I Ati, Mike Huckabee, shërbeu si guvernator i shtetit për një dekadë.

Në një nga garat kryesore, atë për guvernatorin e Floridas, u rizgjodh me lehtësi guvernatori republikan Ron DeSantis. Disa republikanë po e nxisin zotin DeSantis të kandidojë përballë ish-presidentit Donald Trump për nominimin republikan për të kandiduar për president në vitin 2024 dhe ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për në Shtëpinë e Bardhë.

Ish-presidenti Trump, tashmë banor i Floridës, tha se votoi për DeSantis të martën në zgjedhjet për guvernator, por ai e ka nënçmuar publikisht një kandidim të mundshëm të DeSantis për president. Në prag të zgjedhjeve, në një tubim në Ohajo, Trump ka thënë se do të bënte një njoftim të madh më 15 nëntor, dhe analistët besojnë se ai mund të shpallë kandidaturën për në Shtëpinë e Bardhë.

Zyrtarët në dy shtete të kontrolluara nga republikanët, Misuri dhe Florida, refuzuan të lejojnë zyrtarët e Departamentit Federal të Drejtësisë brenda qendrave të votimit, duke vënë në dyshim autoritetin e Departamentit të Drejtësisë për të pasur vëzhgues brenda zonave.

Ekonomia, aborti – shqetësim i votuesve

Sipas një ankete të fundit të Qendrës Kërkimore Pew, më shumë se tre të katërtat e votuesve thanë se ekonomia ishte shqetësimi i tyre kryesor në këto zgjedhje.

|Tregu i shtëpive, çmimi i benzinës, ju e dini. Artikujt ushqimore po bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë dhe disa artikuj as nuk mund t’i gjejmë më”, i ka thënë “Zërit të Amerikës”, Amanda Douglas, votuese në Xhorxhia.

Dhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë në qershor për t’i dhënë fund të drejtës federale për abortin, çështjet sociale kanë motivuar gjithashtu votueset femra dhe të pavarurit të votojnë për demokratët.

“Kjo është shumë shqetësuese për mua. Mendoj se të gjithë duhet të kenë qasje në kujdesin shëndetësor”, ka thënë Theresa Allmend, votuese në Xhorxhia.

Në Xhorxhia, një garë shumë e ngushtë midis senatorit demokrat në detyrë Raphael Warnock dhe kundërshtarit republikan Herschel Walker mund të çojë në balotazh nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr 50 për qind të votave. Gara për në Senat ishte shumë e ngushtë të mërkurën në Arizona, Nevada dhe Pensilvani.

“Pika e kthesës”

Duke parashikuar një fitore të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, udhëheqësi i pakicës Kevin McCarthy, favorit i mundshëm për t’u bërë kryetar i Dhomës nëse republikanët fitojnë shumicën, është zotuar të kërkojë shkurtime të shpenzimeve në programet qeveritare të favorizuara nga presidenti Biden.

Ai i ka thënë rrjetit “CNN” se ligjvënësit republikanë do të shqyrtojnë gjithashtu më nga afër ndihmën e vazhdueshme financiare dhe me atme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën për të luftuar agresionin e Rusisë, tashmë në muajin e nëntë.

Që nga fillimi i luftës, presidenti Biden, me pak debat në Kongres, i ka dërguar më shumë se 27 miliardë dollarë ndihmë qeverisë së Kievit. Por McCarthy ka thënë se republikanët nuk janë të gatshëm të financojnë në mënyrë të vazhdueshme pa analiza të mëtejshme të asaj se çfarë i nevojitet Ukrainës veçanërisht.

Ligjvënësit e tjerë republikanë kanë premtuar të nisin hetime për punën e administratës Biden gjatë dy viteve të para të mandatit të tij, veçanërisht valën e vazhdueshme të mijëra emigrantëve pa dokumente përgjatë kufirit jugor me Meksikën që presidenti Biden, ashtu si ish-presidenti Donald Trump, nuk ka mundur ta ndalojë.

Disa ligjvënës republikanë po bëjnë thirrje për seanca dëgjimore mbi veprimtaritë e biznesit të djalit të presidentit, Hunter Biden, në Ukrainë dhe në Kinë. Prokurorët amerikanë tashmë kanë kryer një hetim mbi operacionet e biznesit të zotit Hunter Biden, por nuk kanë ngritur asnjë akuzë.

Ndërkohë, demokratët kanë akuzuar republikanët se po planifikojnë të shkurtojnë përfitimet popullore të kujdesit shëndetësor dhe pensioneve për amerikanët e moshuar nëse marrin kontrollin e Kongresit.

Si presidenti Biden ashtu edhe ish presidenti Trump bën fushatë javët e fundit për kandidatët demokratë dhe republikanë. Trumpi, i cili humbi në zgjedhjet e vitit 2020 vazhdon pretendimet e rreme për manipulim të zgjedhjeve.

Presidenti Biden, i cili i quajti zgjedhjet e së martës një “pikë kthese” në demokracinë amerikane, gjithashtu ka thënë se planifikon të kandidojë për rizgjedhje pas dy vjetësh, por ende nuk ka bërë një deklaratë zyrtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tirana e ka nisur me fitore Ligën Unike të femrave.…