Analistët: Presioni i BE-së për formimin e Asociacionit është i padrejtë

09 dhjetor 2021 | 08:07

Qëndrimet e kundërta lidhur me marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, kanë bërë që të martën gjatë konferencës së përbashkët për medie në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell të kenë një përplasje.

Presioni i Bashkimit Evropian për formimin e Asociacionit, i cili në shumë pika nuk përputhet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, po konsiderohet si qasje e padrejtë nga analistët politik.

Analisti, Imer Mushkolaj në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se është i padrejtë presioni i ashpër që po i bëhet Kosovës, marrë parasysh se shumica e marrëveshjeve nga ana e Serbisë nuk janë respektuar.

“Së pari është e qartë që në këtë rast BE-ja po bën presion të ashpër mbi Kosovën për formimin e Asociacionit. Ndërkohë që sikurse Asociacioni janë një numër marrëveshjesh tjera të cilat nuk janë respektuar nga ana e Serbisë. Këtë e konsideroj qasje jo të drejt të Bashkimit Evropian. Unë mund ta kuptoj interesin e BE-së që ta ofrojë sa më shumë Serbinë drejt anëtarësimit, por kjo kurrsesi nuk bën të ndodh në kurriz të Kosovës. Qasja e BE-së është shumë e padrejtë në këtë aspekt”, tha Mushkolaj për Telegrafin.

Edhe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” ka deklaruar se nuk ka ndonjë ndryshim pozicionesh në këtë aspekt, as nga BE-ja e as nga Qeveria e Kosovës.

“Mendoj që nuk ka ndryshim pozicionesh. Kryeministri ka mbetur në pozicionin e tij që Asociacioni duhet të bëhet vetëm në bazë të aktgjykimit të Kushtetueses. Në anën tjetër Brukseli qëndron te pozicioni se Asociacioni duhet të bëhet  në bazë të marrëveshjes së arritur në Bruksel. Nuk ka lëvizje pozicionesh”, tha Demhasaj për Telegrafin.

Sipas Demhasajt, kjo çështje është problematike pasi vazhdimisht ka kërkesa vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe këtë e thonë konkretisht tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, e në anën tjetër kur kemi të bëjmë me vendimin për Asociacionin, ata vazhdimisht po kërkojnë që të shkelet ai vendim që të respektohet marrëveshja e arritur në Bruksel.

“Këtë e shoh problematike si qasje ndërkombëtare, sepse nëse ka kërkesë për tu respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese kjo duhet të jetë në tërësi e jo vetëm parcialisht, vendimi për Manastirin të zbatohet e të mos zbatohet ky që flet për Asociacionin. Me gjasë momentalisht kemi mbetur tek pozicionet fillestare që nuk ka përparim në lidhje me këtë çështje”, tha ai.

Ndërkaq, një alternativë për çështjen e Asociacionit sipas Imer Mushkolajt, duhet ta ketë Qeveria e Kosovës, pasi siç thotë ai e ka përgjegjësinë për formimin e këtij Asociacioni.

“Në anën tjetër Kosova e ka përgjegjësinë e formimit të Asociacionit, por ndërkohë e ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që në disa pika e nxjerr në disa pika kushtetuese. Është e vërtetë ajo që tha Borrell, që vendimi i Gjykatës nuk e përjashton themelimin e Asociacionit, pra gjykata nuk thotë se ‘Asociacioni nuk duhet me u themelu’. Por, po ashtu është e vërtetë se marrëveshja e nënshkruar për themelimin e Asociacionit në më shumë se 22 pika është jo-kushtetuese”, thotë Mushkolaj, për Telegrafin.

Po ashtu, ai tutje shtoi se BE po tregohet e ashpër karshi Kosovës, por në këtë rast edhe kryeministri Kurti nuk po jep zgjidhje se çfarë do të ndodhë.

“Është e lehtë të thuhet se ai nuk do të formohet me kompetenca ekzekutive, për shkak se është i dëmshëm, kjo nuk do diskutim, por në anën tjetër cila është alternativa që ofron Qeveria. Nuk ka alternativë, për shembull nuk ka një nismë apo iniciativë që të hartohet një plan për themelim të Asociacionit duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, gjë që do ta lehtësonte pozitën e vështirë që gjendjet Kosova në këtë aspekt, e mbase do ta zbuste thënë kushtimisht qëndrimin e BE-së e të mos bënte presion kaq të ashpër mbi Kosovën”, theksoi ai.

Mushkolaj thotë se në këtë aspekt duhet tashmë të ketë një iniciativë dhe të ndërmerren hapa konkret në mënyrë që të ketë një përgjigje presioni i BE-së për këtë çështje.

“Besoj që duhet të merret iniciativë në këtë aspekt. Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarr hapa konkret në këtë aspekt, pastaj unë mund të paragjykojmë që Serbët nuk po e pranojnë e të tjera, mirëpo kjo do të ishte një përpjekje e Qeverisë karshi presionit të BE-së edhe Serbisë për krijimin e Asociacionit”, tha Mushkolaj.

Demhasajt në anën tjetër thotë se tani do të mbetet të shihet se kush do të tërhiqet nga pozicioni.

“Mbetet të shihet tash se kush do të lëvizë nga pozicioni, a do të lëvizë Qeveria apo BE-ja. Marrë parasysh të kaluarën Kosova është ajo që i ka lëvizë pozicionet, sepse ne kemi pasur marrëveshje në të ardhmen të cilat janë kundërshtuar por pastaj jemi kthyer e i kemi ndryshuar, praktika tregon që Kosova ka lëvizë”, tha ai.

Në fund, Arton Demhasaj tha se nëse Kurti nuk do të lëvizje nga pozicioni i tij në lidhje me formimin e Asociacionit, atëherë mund të ketë edhe zgjedhje të reja.

“Tash mbetet të shihet nëse z.Kurti do të lëvizë në lidhje me këtë çështje. Nëse nuk ka lëvizje atëherë edhe mund të kemi zgjedhje të reja, pikërisht shkaku i kësaj çështjeje. E dimë që dialogu ka qenë ai që i ka rrëzuar dy Qeveri deri më tani, shumë lehtë mund ta rrëzojë edhe të tretën”, theksoi Demhasaj.

Ndryshe, në një konferencë të përbashkët për medie në Bruksel, kryediplomati evropian u shpreh i prerë në themelimin e Asociacionit, ndërsa kreu qeveritar tha se kjo marrëveshje nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Përkitazi me këtë qëndrim, Borrell tha se nuk mund të ketë takim të ri të nivelit të lartë në dialog, derisa palët nuk kanë vullnet për rezultate konkrete.

“Ajo çka u tha gjatë këtij takimi është se krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe është pjesë e marrëveshjeve të Brukselit, kjo marrëveshje është e lidhur në mirëbesim nga palët e përfshira. Sigurisht që presim që të gjitha marrëveshjet të zbatohen nga dy palët. Sepse adresimi i nevojave të komunitetit serb është element i rëndësishëm i procesit të normalizimit. Me të njëjtat fjalë e kemi trajtuar këtë çështje me kryeministrin Kurti. Pra kjo pjesë e marrëveshjes duhet të implementohet”, tha ai.

Por Kurti tha se nga 33 marrëveshjet me Serbinë, dy të tretat prej tyre nuk janë zbatuar nga Serbia.

“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat nuk janë zbatuar nga Serbia, por gjithmonë, Serbia kërkon zbatimin e vetëm njërës prej tyre, e cila nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Kurti.

Tutje ai shtoi se kur është bërë publik vendimi i Gjykatës Kushtetuese, asnjë serb i Kosovës nuk ka protestuar. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe…