Analisti serb: Lirimi i policëve të Kosovës, kapitullim i Vuçiqit

27 qershor 2023 | 09:13

Analisti politik serb Dragomir Angjellkoviq ka deklaruar se lirimi i tre policëve të Kosovës paraqet edhe një kapitullim të presidentit serb Aleksandar Vuçiq para faktorëve ndërkombëtarë, në dëm të Serbisë dhe serbëve të Kosovës.

Angjellkoviq ka thënë për agjencinë serbe “Beta” se nuk ka dyshim se vendimi për lirimin e tre policëve të Kosovës nga paraburgimi është politik.

“Gjyqësori serb është nën kontrollin e plotë të pushtetit dhe aq sa gjyqësori është nën kontrollin e pushtetit, po aq edhe pushteti ynë është nën kontrollin e disa faktorëve të jashtëm. Sapo dikush serioz nga bota ngre pak më tepër zërin, Vuçiq nxiton të ulë kokën dhe të bëjë gjithçka që i kërkohet. Lirimi i tre policëve të Kosovës paraqet një tjetër kapitullim të presidentit Vuçiq, në dëm të Serbisë dhe serbëve të Kosovës”, ka thënë Angjellkoviq, transmeton Paparaci.

Angjellkoviq e ka krahasuar ndërmjetësimin e kryeministrit hungarez Viktor Orban në lirimin e policëve të Kosovës me rolin e Viktor Chernomyrdin (ish i dërguari i presidentit rus) në kapitullimin e Sllobodan Millosheviqit (i akuzuar për krime lufte në Kosovë, i cili vdiq në burg para se të shpallej fajtor) në vitin 1999.

“Vuçiq e ka Chernomyrdinin e tij tek Orbani, i cili është një lloj ndërmjetësi me qëllim që presidenti serb ta ruajë nderin për përdorim të brendshëm, edhe pse është kapitullim i pastër. Për Vuçiqin do të ishte më mirë që të mos i arrestonte policët e Kosovës dhe si dhe të mos kishte thënë se nuk do të shkonte në Bruksel në negociata me Albin Kurtin dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë”, ka thënë analisti.

Kur hyn në çështje të tilla, ka shtuar Angjellkoviq, duhet menduar dy herë.

“Problemi me Vuçiqin është se ai nuk mendon kur merr vendime të rëndësishme shtetërore. Kur Vuçiq merr vendime merret me rejtingun e tij personal dhe pastaj shteti e paguan llogarinë, si në rastin e policëve të Kosovës”, ka theksuar Angjelkoviq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, pas 12 seancave fillestare të…