“Andrra në beze”, një libër i rrallë

17 qershor 2018 | 17:05

Gazetari shumëvjeçar i shumë medieve fizike dhe elektronike të Kosovës, ish-drejtori i teatrit “Dodona”, Agron Shala, ka publikuar librin e parë “Andrra në beze” me Shtëpinë Botuese “Armagedoni”.

Në këtë libër prej dyqind faqesh janë përmbledhur njëzet ese nga fusha e kulturës, kryesisht e filmit, për të cilat disa studiues të mediumeve dhe profesorë universiteti kanë dhënë vlerësime të mira, duke i konsideruar esetë e Shalës, tepër të rralla në gjithë ambientin e Kosovës.

Për librin “Andrra në beze” vlerësime, të cilat janë prezantuar në kopertinën e pasme të librit, kanë dhënë profesori i teatrit, romansieri, dramaturgu, regjisori, esteti dhe eseisti Stefan Çapaliku, eseisti dhe ish-editori i gazetës “Zëri”, Blerim Shala, profesori i letërsisë dhe gjuhës angleze, Muhamet Hamiti, profesori i fotografisë Fahredin Spahija, publicisti dhe studiuesi Daut Dauti.

Thanë për librin “Andrra në beze”

“Esetë e Agron Shalës ndërtohen mbi një seriozitet në qasje, thellësi në analizë, pasuri në informacion, kombinim në zhanre, krahasime që bashkojnë të tashmen me të kaluarën. Si të tilla, këto ese janë një dukuri e rrallë, tepër e rrallë në këtë ambientin tonë të kontaminuar me banalitete të të gjitha llojeve, të cilat janë bërë përditshmëri e jona” / Blerim Shala

“Duke dalë prej shtëpie me këtë libër […] asht ba gati me na dhanë dorën dhe me na përcjellë ‘rrokull botës e rrokull Shqypniës së tij’ si një person njerëzor e intelektual…” / Stefan Çapaliku

“E veçanta e tij është shoshitja e fenomeneve kulturore nëpër kriteret e sociologjisë , psikologjisë, filozofisë dhe historisë. Ai ofron shpjegime të cilat janë të denja për krahasim edhe me botimet e shtypit më elitar dhe të specializuar të fushës së kulturës në Evropë e gjetiu” / Daut Dauti

“Shkrime ‘non-fiction’ me nuanca gjuhe fiksionale edhe kur bëhet fjalë për jetën reale, distopike, të sotmes, që bie ndesh me optimizmin e induktuar komunist me dekada në Shqipëri e në Kosovë. Pesimizmi i Agron Shalës për konditën shoqërore shqiptare bëhet njëfarë pharmakos-i i kohës sonë” / Muhamet Hamiti

“Rrëfimi tejet interesant që Agron Shala ndërton duke e analizuar veprën filmike, si lexues të bën të krijosh një lidhje të fortë, gjithsesi emocionale me subjektin që e trajton regjisori” / Fahredin Spahija

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar Maqedoninë…