Deçani në zemër të mërgatës – libër, diplomaci dhe krenari kombëtare në Cyrih e St. Gallen
25 tetor 2026| 16:44
Nga: Islam Sadiki – St. Gallen
Promovimi i librit “Krimet serbe në Kosovë – Rasti i Deçanit”, me autor MSc. Adem Lushaj, i mbajtur në St. Gallen të Zvicrës, u shndërrua në një ngjarje të veçantë kulturore e kombëtare, me pjesëmarrje të gjerë të bashkatdhetarëve tanë të ardhur nga qytete të ndryshme të Zvicrës, Gjermanisë dhe Francës.
Para këtij aktiviteti, autori Adem Lushaj, së bashku me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, patën kënaqësinë të priten në një takim nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, z. Avni Fejzullahu, dhe sekretari, z. Betim Qorraj. Gjatë takimit u zhvillua një bashkëbisedim i frytshëm për çështje me interes të përbashkët, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe të ruajtjes së lidhjeve me mërgatën shqiptare.
Promovimi u organizua nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih, Shoqata Kulturore Shqiptare “SHARRI” dhe Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Aktiviteti u karakterizua nga një atmosferë e ngrohtë atdhetare dhe nga interesimi i veçantë për librin, i cili dokumenton krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998–1999, me fokus të veçantë në rastin e Deçanit.
Përveç fjalëve përshëndetëse dhe vlerësimeve të Konsullit të Përgjithshëm, z. Vigan Berisha, dhe kryetarit të Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, për librin dhe rëndësinë e dokumentimit të së vërtetës historike folën edhe z. Islam Sadiki, në emër të Shoqatës “SHARRI”, si dhe z. Mentor Thaqi nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i cili prezantoi edhe fjalën e z. Musa Jupolli.
Një moment i veçantë i këtij aktiviteti ishte ndarja e mirënjohjeve për autorin e librit, MSc. Adem Lushaj, dhe kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, nga Shoqata Kulturore Shqiptare “SHARRI”, si shenjë vlerësimi për kontributin dhe angazhimin e tyre.
Gjatë promovimit u shpreh interesim i veçantë edhe për raste konkrete të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me theks të posaçëm te Masakra e Belegut, një nga ngjarjet tragjike që zë vend të rëndësishëm në kujtesën historike të Deçanit dhe të popullit shqiptar. Ky interesim dëshmoi rëndësinë e dokumentimit të dëshmive, të zbardhjes së ngjarjeve dhe të ruajtjes së kujtesës historike, në mënyrë që vuajtjet e viktimave të mos harrohen dhe e vërteta t’u përcillet brezave të ardhshëm.
Promovimi në St. Gallen përbënte shumë më tepër sesa një prezantim libri. Ai ishte një dëshmi se kujtesa historike, e vërteta për viktimat dhe përgjegjësia ndaj brezave të ardhshëm vazhdojnë t’i bashkojnë shqiptarët, kudo që jetojnë. Përmes këtij libri, dëshmitë e viktimave dhe ngjarjet tragjike të luftës bëhen pjesë e një përpjekjeje të vazhdueshme për të ruajtur të vërtetën dhe për t’ua përcjellë atë gjeneratave të reja.
Mirënjohje e thellë u shpreh për të gjithë organizatorët, përfaqësuesit institucionalë, folësit dhe secilin pjesëmarrës që kontribuoi në suksesin e këtij aktiviteti. Një falënderim i veçantë u takon aktivisteve të shumta të Shoqatës “SHARRI”, të cilat, me përkushtimin dhe mikpritjen e tyre, u kujdesën edhe për përgatitjen e ushqimeve tradicionale shqiptare, duke i dhënë ngjarjes një frymë të veçantë ngrohtësie familjare dhe tradite kombëtare.
Vlerësim i veçantë u shpreh edhe për të gjithë bashkatdhetarët që udhëtuan nga vende të ndryshme për të qenë pjesë e këtij promovimi. Prania dhe mbështetja e tyre përbëjnë një nxitje të rëndësishme për vazhdimin e punës në dokumentimin e historisë dhe ruajtjen e kujtesës për viktimat dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Historia duhet dokumentuar, e vërteta duhet dëshmuar dhe kujtesa duhet t’u përcillet brezave!