Anëtarët e LV-së në KQZ kritikojnë certifikimin e Listës Serbe: Ambasadorët e Quint-it janë vënë në mbrojtje të organizatave kriminale
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Alban Krasniqi, ka kritikuar vendimin për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe ka akuzuar ambasadorët e vendeve perëndimore për ndërhyrje.
Ai ka thënë gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së se “Gjykata Supreme vetëm i ka delegjitimuar anëtarët e KQZ-së” me vendimin se Lista Serbe duhet të certifikohet.
Krasniqi ka theksuar se “nuk mendoj që shteti duhet me ra në nivelin e këtyre presioneve”, duke përmendur diplomatët e huaj, që sipas tij po mundohen ta “legalizojnë” këtë parti.
“Ne nuk mund të presim vendime të gjykatave për secilin person veç e veç”, ka thënë ai.
Ai e ka quajtur vendimin e Supremes për certifikimin e Listës Serbe si “koordinim kriminal të organeve tona të drejtësisë”.
“I mbuloftë turpi”, ka thënë ai, duke paralajmëruar se ata do të japin “përgjegjësi herdokur”.
Më tutje, Krasniqi ka thënë se Listës Serbe i dolën në mbrojtje diplomatët e huaj “për hesape të tyre të ngushta”.
“Edhe ata fatkeqësisht janë duke u vënë në mbrojtje, për hesape të tyre të ngushta, apo të karrierës politike”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se certifikimi i Listës Serbe po i shkakton “dëm të madh” procesit zgjedhor të 12 tetorit.
“Dëm i rëndë për këto zgjedhje. Ky dëm do të reflektojë edhe në proceset zgjedhore në të cilat Lista Serbe pretendon të garojë”.
“Aty nuk do të ketë demokraci ku garon Lista Serbe, e dinë ambasadorët e Quint-it, vetë e kanë deklaruar. Edhe ata janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale për hesape të tyre politike të ngushta apo karrierës së tyre politike. Vendimmarrje e qëllimtë si rezultat i presioneve, as të ambasadorëve, do diplomatëve që sillen këndej, e shërbëtorëve që sillën poshtë e lartë”, ka thënë ai.
Edhe anëtari tjetër i LV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ka adresuar akuza të ngjashme. “Gjykata Supreme ka bërë një rrëshqitje shumë të madhe, i delegjitimon anëtarët e KQZ-së që kanë kompetencë ligjore për certifikim ose moscertifikim”, ka thënë Kurteshi.



