Anulohet konkursi për dy anëtarë të Trustit Pensional

29 maj 2023 | 13:13

Është ndërprerë konkursi për dy nga shtatë pozitat e shpallura nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës javë më parë.

Lajmin për teve1 e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti.

Sipas tij, ndërprerja e konkursit për një anëtar për këshillimin e punonjësve dhe një anëtar për këshillimin e punëdhënësve në Kosovë është bërë pasi nuk ka pasur mjaftueshëm aplikues që i kanë plotësuar kushtet e konkursit.

“Procesi i përzgjedhjes për anëtar të Bordit Drejtues të FKPK-së me përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punonjësve apo përfaqësuesve të tyre në Kosovë (1 pozitë) dhe procesi i përzgjedhjes për një anëtar të Bordit Drejtues të FKPK-së me përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punëdhënësve në Kosovë (1 pozitë) janë ndërprerë nga Komisioni Përzgjedhës për arsye të numrit të pamjaftueshëm të kandidatëve të kualifikuar që kërkohen për t’u marrë parasysh nga Komisioni Përzgjedhës për ta kryer përzgjedhjen për secilën pozitë në konsideratë”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, në bazë të Ligjit Nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale, me ndryshime dhe plotësime, për çdo pozitë të anëtarit të Bordit Drejtues të FKPK-së për të cilën zhvillohet procesi i përzgjedhjes, Komisioni Përzgjedhës duhet të konsiderojë tre ose më shumë kandidatë.

“Për të dyja këto pozita, numri i aplikacioneve të paraqitura ka qenë më i lartë se tre, por numri i atyre që i kanë përmbushur kriteret dhe kërkesat e publikuara në konkurs ka qenë më i ulët. Të gjithëve që kanë paraqitur aplikacione për këto pozita, iu është komunikuar se është ndërprerë procesi përkatës i përzgjedhjes”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, aplikuesve u është komunikuar se konkursi për këto dy pozita do të rishpallet.

Ndërsa sipas Ahmetit, rishpallja e konkursit pritet të ndodhë pas përfundimit të procesit për përzgjedhjen e pesë anëtarëve profesionalë të Bordit Drejtues të FKPK-së.

Konkursi për përzgjedhjen e shtatë anëtarëve të Trustit ishte shpallur në prill derisa afati i fundit për aplikim në këto pozita ishte data 5 maj 2023.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-diplomati dhe drejtori i KIPRED-it, Lulzim Peci, ka vlerësuar se…