
Apeli i lë në paraburgim katër të dyshuarit për detyrim e shmangie tatimi
Departamenti i Përgjithshëm, ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Liman Sallauka, Xhevat Sallauka, Nexhmi Krasniqi dhe Ramadan Paçarizi, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të datës 6 gusht 2025, me të cilin të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, nga data 4 gusht deri më 4 shtator 2025, raporton Betimi për Drejtësi.
Aksionin e arrestimit dhe hetimet i ka udhëhequr kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu.
Gjykata Themelore në Prizren, përmes vendimit të 6 gushtit 2025, kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj Liman Sallaukës, Xhevat Sallaukës, Nexhmi Krasniqit dhe Ramadan Paçarizit, të arrestuar nën dyshimin për detyrim, armëmbajtje pa leje dhe shmangie nga tatimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për arrestimin e katër të dyshuarve, Betimi për Drejtësi kishte raportuar me 4 gusht 2025.
Sipas Apelit, vendimi i Themelores është i drejtë dhe nuk përmban shkelje të dispozitave ligjore, ndërsa ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, në bazë të provave materiale dhe shkresave të lëndës.
Gjykata ka vlerësuar se lënia e tyre në liri do të rrezikonte asgjësimin, fshehjen, falsifikimin apo ndryshimin e provave, si dhe do të ndikonte në dëshmitarë dhe të dëmtuar. Duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes, si dhe karakteristikat personale të të pandehurve, Apeli ka konstatuar se masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe e arsyeshme në këtë fazë të procedurës.