Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj gruas së “Sandokanit” dhe zyrtarit tjetër të MPMS-së

23 maj 13:16

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala janë liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.

Me këtë vendim, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi”.“Duke i vlerësuar pretendimet e prokurorisë, Gjykata e Apelit ka konkluduar se pa bazë me ankesën e prokurorisë  atakohet aktgjykimi i shkallës së parë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas vendimit të Apelit, i cili rezulton të jetë marrë më 19 tetor 2021, nuk janë vërtetuar shkeljet e ligjit për të cilat gjykata e shkallës së dytë kujdeset sipas detyrës zyrtare.

Po ashtu, në vendim thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurë penale.Sipas kësaj gjykate, për të gjitha faktet vendimtare për marrjen e vendimit janë dhënë arsye të cilat nuk përmbajnë kurrfarë kundërthënie sa i përket fakteve vendimtare.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 mars 2021, të akuzuarit Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, i ka liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2019, e pandehura Sanije Rexha, gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha, i njohur si “Sandokani”, akuzohej se në cilësi të personit zyrtar, udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëveprim me të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor të vitit 2017, kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit, pa autorizim kishin marrë 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës, ku i kanë plotësuar 31 formularët për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, formularët e plotësuar i kanë sjellë në Kosovë dhe i kanë dorëzuar në MPMS, duke u mundësuar atyre fitimin e statusit të veteranit të luftës në shumë prej 133 mijë e 280 euro, në mënyrë të kundërligjshme.

Me këto veprime, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Po ashtu, ata ngarkoheshin se në cilësi të personave zyrtarë, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B, për pranimin e katër formularëve për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’ua sigurojë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.

Për këtë, ata akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Ekskluzive: Ngritet aktakuzë ndaj gruas së “Sandokanit” – Portali  KlinaPress.com, Lajmet e fundit nga Komuna e Klinës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur në…