AQP-ja shpall tender 25 milionë euro për furnizim me karburante

03 prill 2024 | 11:57

Agjencia Qendrore e Prokurimit ka shpallur tender në vlerë mbi 25 milionë euro, për furnizim me karburante për nevoja të nivelit qendror dhe lokal, i ndarë në nëntë lote.

Përmes këtij tenderi parashihet furnizimi me karburante për vetura, nxemje, gjenerator dhe rezerva për institucionet.

Bazuar në njoftimin për kontratë që ka publikuar AQP në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, kohëzgjatja e kontratës është për një vit.

Në Lotin 1 parashihet furnizimi me karburante për nevojat e Policisë së Kosovës. Furnizimi për këtë institucion pritet të kushtojë 4 milionë e 569 mijë e 397 euro.

Loti 2 është për furnizim me karburante për vetura për nevojat e institucioneve publike të nivelit qendror, me vlerë 2 milionë e 545 mijë e 262 euro.

Në Lotin 3 parashihet furnizim me karburante për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky furnizim pritet të kushtojë 1 milion e 648 mijë e 155 euro.

Më së shumti pritet të kushtojë furnizimi me karburante për nxemje/gjenerator/rezerva për nevojat e institucioneve publike të nivelit qendror, që parashihet me Lotin 4. Për këtë qëllim parashihet të shpenzohen 7 milionë e 317 mijë e 361 euro.

Lotet tjera janë për furnizim me karburante për nivelin lokal. Për Rajonin e Prishtinës 2 milionë e 553 mijë e 169 euro, për atë të Prizrenit 829 mijë e 928 euro, për Rajonin e Pejës dhe Gjakovës parashihet furnizimi me derivate në vlerë 1 milion e 509 mijë e 91 euro. Ndërkohë, për Rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit parashihet furnizim në vlerë 1 milion e 398 mijë e 540 euro, derisa për Rajonin e Mitrovicës, që është edhe loti i fundit, parashihet furnizimi me karburante në vlerë prej 693 mijë e 567 euro.

Kompanitë e interesuara për të kryer këto furnizime, kanë afat të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 15 maj, kur edhe do të bëhet hapja e tenderëve.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues, në bazë të nenit 108/A të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092ne adresën e specifikuar ne Nenin i te këtij Njoftimi për kontratë”, thuhet në dosjen e tenderit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federico Bernacca, gjeneral brigade dhe zëvendëskomandant i Forcës së NATO-s…