Arabia Saudite mbyll xhamitë
Autoritetet në Arabinë Saudite njoftuan të martën se xhamitë nuk do të jenë më të hapura për faljen e pesë kohëve të namazit apo faljen e xhumasë për shkak të përhapjes së koronavirusit. Deri më tani në këtë shtet janë konfirmuar 171 raste të infektimeve.
Për më tepër, Arabia Saudite, e cila e udhëheq grupin e 20 ekonomive kryesore, njoftoi për mbajtjen e një samiti të jashtëzakonshëm të liderëve në javën e ardhshme, ku do të diskutohet për një grumbull të politikave të koordinuara për mbrojtjen e njerëzve dhe ruajtjen e ekonomisë botërore.
Shteti më i madh i Gadishullit Arabik ka marrë masa të ashpra për ta luftuar përhapjen e virusit Covid 19, përfshirë ndalimin e pelegrinazhit të Umres, ndërprerjen e fluturimeve ndërkombëtare dhe mbylljen e shkollave.
Agjencia shtetërore e lajmeve, SPA, raportoi se të hapura për besimtarët do të vazhdojnë të jenë vetëm dy xhamitë e shenjta në Mekë dhe Medinë, shkruan “Reuters”.



