Arabia Saudite trefishon TVSh-në
Arabia Saudite do ta trefishojë tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSh), si pjesë e masave shtrënguese për ta mbështetur ekonominë e saj të goditur nga Covid-19.
Kombi i pasur me naftë ka pasur ulje të të ardhurave pasi ndikimi i pandemisë ka ulur çmimet globale të energjisë, shkruan BBC.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Arabisë Saudite tha se TVSh-ja do të rritet nga 5 % në 15 % që nga 1 korriku.
“Këto masa janë të dhimbshme, por të domosdoshme për ta ruajtur stabilitetin financiar dhe ekonomik afat të mesëm dhe afatgjatë dhe për ta kapërcyer krizën e koronavirusit me dëmin më të vogël të mundshëm”, tha ministri i Financave, Mohamed al-Jadaan në një deklaratë.
Njoftimi erdhi pasi shpenzimet shtetërore tejkaluan të ardhurat, duke krijuar një deficit në buxhet prej 9 miliardë dollarësh në tre muajt e parë të vitit. Kjo pasi të ardhurat nga nafta në këtë periudhë ranë në 34 miliardë dollarë, duke zbritur të ardhurat totale me 22 %.
Në të njëjtën kohë, Banka Qendrore e Arabisë Saudite deklaroi se rezervat e saj të huaja po uleshin në mars në normën e tyre më të shpejtë në të paktën dy dekada dhe në nivelin e tyre më të ulët që nga viti 2011. Deri më tani në Arabinë Saudite janë shënuar 246 viktima dhe janë regjistruar 39 048 të infektuar.



