
Arbëria – Trepça ’89 hap javën e 28
09 prill 2021
| 11:08
Ndeshja ndërmjet Arbërisë dhe Trepçës ’89 do ta hapë xhiron e 28 të Superligës së Kosovës në futboll.
Kjo ndeshje do të luhet sot (e premte) prej orës 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në të cilin Arbëria po i luan duelet si vendase kohët e fundit.
Në fakt, kjo është ndeshja e vetme e elitës së futbollit kosovar që do të luhet të premten derisa ndeshjet e tjera të kësaj xhiroje do të zhvillohen të shtunën dhe të dielën. Të shtunën do të zhvillohen dy ndeshje: Gjilani – Feronikeli dhe Ballkani – Besa.
Ndërsa, të dielën, Llapi e pret Dritën, kurse Drenica do të përballet me Prishtinën. Të gjitha ndeshjet do të startojnë prej orës 15:00.