Blerim Latifi publikon foton e tij nga lufta në Koshare

09 prill 2021 | 11:07

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, profesori universitar, Blerim Latifi, përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ka kujtuar luftën e Koshares dhe thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar pikërisht të ndodhur me 9 prill të vitit 1999.

Filozofi Blerim Latifi  ka publikuar një fotografi për të cilën ka thënë se është një nga dy të vetmet që i ka nga lufta në Koshare.

Latifi ka thënë se këtë fotografi e kishin bërë me një aparat që e kishte sjellë nga Norvegjia, Rexhep Shehi.

Në atë foto, Latifi shihet bashkë me Nehat Shalën.

“Kjo është njëra prej dy fotografive të vetme që kam nga Lufta e Koshares. Neve që ishim në vijën e parë të frontit nuk na binte në mend për të bërë fotografi dhe po të mos ishte Rexhep Shehi që kishte sjellë një fotoaparat nga Norvegjia, as kjo fotografi nuk do të shkrepej kurrë. Këtu kam dalë bashkë me Nehat Shalën, i cili u nda nga ne vitin që shkoi. Unë isha vetëm 20 vjeç, ndërsa Nehati dyfish më i moshuar. Sot ne kujtojmë fillimin e Luftës së Koshares, luftës që theu përfundimisht kufirin e vendosur dhunshëm midis trupit etnik e territorial të kombit shqiptar. Për ne që mbetëm gjallë krenaria është e dyfishtë: krenarë që patëm fatin të jemi në atë vend ku u nderuan armët e kombit tonë dhe krenarë që ishim bashkë me 114 heronjtë e Koshares që dhanë jetën e tyre për nderin dhe lirinë e Kosovës. Varret e tyre janë pishtarë që na e ndriçojnë rrugën sa herë që ne e humbim atë në terrin e rrjedhës së historisë”, ka shkruar Latifi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Pjesë nga kujtimet e luftës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka…