Pjesë nga kujtimet e luftës

09 prill 2021 | 17:43

Shkruan: Blerim Latifi

Një natë para se të futeshim në frontin e Kosharës, qëndruam në fshatin Padesh, i cili ishte ngjitur me zonën kufitare.

Natën e kaluam në disa tenda,të cilat i kishte ngritur prapavija e brigadës sonë. Natyrisht, asnjëri nga ne nuk pati gjumë në sy, sa për shkak të emocioneve që kishim, aq edhe për shkak të zhurmës së madhe që bënin avionët e NATO-s që fluturonin mbi Kosovë. Në mëngjes u rreshtuam për nisje. Para nesh doli një oficer i brigadës, i cili kishte për detyrë të na jipte udhëzimet e fundit para hyrjes në luftë.

Pjesën shokuese të ligjëratës së tij udhëzuese e kishte lënë për fund. Ai na tha: – Merreni nga një copë nga paketa e cigareve dhe shkruajeni në të emrin, mbiemrin tuaj, vendlindjen tuaj dhe futeni në xhepin e djathtë të uniformës, sepse nëse bjen puna me ju tërheq, na duhet ta dimë identitetin tuaj. Fjalët e tij na ranë si rrufe. Ato na paralajmëronin se po hynim në një betejë ku me siguri dikush nga ne do të vritej gjithsesi, nëse jo të gjithë. Oficeri e pa se ishim zverdhur në fytyra dhe mori sërish fjalën: Keni 10 minuta të mendoheni, kush nuk e ndjen veten të gatshëm për luftë, le ta thotë tash, ne e lirojmë dhe kurgjo kerkujt, kjo është luftë vullnetare, askënd se detyrojmë me zor.

Një heshtje e plotë e mbuloi gjithë njësitin tonë. Kur e pa se asnjëri nga ne nuk ishte lëkundur në synimin për të hyrë në luftë, oficeri ia bëri me shenjë një ushtari i cili kishte marrë detyrën për të na dërguar në vijën e frontit.

Nisuni, i tha atij. Dhe derisa po ngarkonim çantat në shpinë, u kthye nga ne dhe na tha: U lumtë pushka djem, dalshi faqebardhë! Rrugës filluam të diskutonim se pse oficeri na tha që copën e letrës me emrat tanë ta vendosnim në xhepin e djathë e jo në të majtin.Atëherë dikush e tha një shaka të hidhur: – Sepse armiku kërkon të nga godas në zemër e aty gjaku e prish letrën. Pasi e pata shkruar emrin dhe vendlindjen në atë copë letre, sa herë më ndodhte ta prekja në xhepin e djathtë ku e kisha vendosur, më kujtoheshin skenat nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë, kur i zhvarrosin trupat e ushtarëve të vrarë dhe në skeletet e tyre gjenin pjesët metalike me emrat tyre të shkruara në to.

Ditën që lufta përfundoi, atë copë letre e pata grisur, si për t’i thënë vdekjes se kisha triumfur mbi të.

Blerim Latifi publikon foton e tij nga lufta në Koshare

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trepça ’89 e ka fituar ndeshjen kundër Arbërisë (0-1), e…