Çfarë e lidh ish-shefin e BND-së të arrestuar për spiunazh me Dick Martyn dhe UÇK-në?

12 tetor 2026 | 16:53

Në raportin e tij për trafikimin e organeve të vitit 2011, i cili nuk u vërtetua kurrë pas një serie hetimesh – Marty e citoi me emër të paktën dy herë raportin e BND-së të vitit 2005 kur foli për “Grupin e Drenicës” dhe rolin e Hashim Thaçit.

Çka e lidh Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Rusinë, Dick Martyn, Gjykatën Speciale dhe ish-shefin e inteligjencës gjermane, August Hanning?

Hanning, që drejtoi BND-në për më shumë se gjashtë vjet, nga 1998 deri në nëntor 2005, u arrestua para pak ditësh nën akuzat për spiunazh, ndërsa raportimet kredibile nxjerrin në pah se ai e vizitonte shpesh Rusinë dhe kishte lidhje biznesore me këtë shtet.

Por, çka bëri BND-ja për UÇK-në në vitin 2005, kur po drejtohej nga Hanning, dhe si u përfshi më pas Rusia e Dick Marty deri në krijimin e Gjykatës Speciale?

Në shkurt të vitit 2005, përmes publikimeve të WikiLeaks, u bë e ditur se BND-ja kishte hartuar një raport për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Raporti, që ndërtohej pa fakte mbështetëse, përmbante akuza se gjatë luftës u krijua i ashtuquajturi “Grup i Drenicës”, ku bënin pjesë Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi dhe Xhavit Haliti.

Aty shkruhej se ky grup në UÇK kryente aksione speciale kundër serbëve, blinte armë dhe akuzohej se kishte lidhje me kontrabandues droge nga Evropa – akuza këto që i bënte vazhdimisht edhe Slobodan Millosheviqi.

Për dallim nga ky raport, CIA amerikane kishte konkluduar qysh më 2001 se UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në aktivitete të kontrabandës me drogë e as në operacione kundër civilëve.

Por, si lidhet ky raport i BND-së, i drejtuar nga Hanning, me Rusinë dhe Gjykatën Speciale më pas?

Në prill të vitit 2008, dy muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë, politikani rus Konstantin Kosachev paraqiti në Këshillin e Evropës një mocion për një rezolutë që kërkonte hetimin e pretendimeve për trafikim organesh nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Detyra iu besua zviceranit Dick Marty.

Në raportin e tij për trafikimin e organeve të vitit 2011 – i cili nuk u vërtetua kurrë pas një serie hetimesh – Marty e citoi me emër të paktën dy herë raportin e BND-së të vitit 2005 kur foli për “Grupin e Drenicës” dhe rolin e Hashim Thaçit.

Në 28 rastet e tjera ku raporti përmend “Grupin e Drenicës”, Marty iu referua “raporteve nga agjencitë e inteligjencës”.

Kur filloi punën, Dick Marty, veç të tjerash, ishte furnizuar me materiale kundër UÇK-së edhe nga autoritetet në Beograd.

Gjatë kohës sa Marty po hetonte dhe raporti u miratua, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Evropës ishte Thorbjørn Jagland, dikur kryeministër i Norvegjisë.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, në intervistën e dhënë në Kanal 10, tregoi se Jagland përmbajtjen e raportit famëkeq të ish-senatorit zviceran kundër UÇK-së e cilësonte sikur të ishin “shkronja nga Bibla”.

Dosjet e Jeffrey Epstein, ish-financierit amerikan të akuzuar për abuzim seksual me të mitura, përmbajnë mijëra dokumente në të cilat vërtetohet lidhja e ish-kryeministrit norvegjez me Rusinë.

Këtë vit, pronat e Thorbjørn Jagland në Oslo të Norvegjisë u bastisën nga forcat speciale dhe ish-diplomati tani po akuzohet për korrupsion.

Raporti i Dick Martyt shërbeu si pikënisje për themelimin e Gjykatës Speciale, por akuzat për trafikim organesh nuk u vërtetuan kurrë as nga hetuesi Clint Williamson dhe as nuk u përfshinë në aktakuzën ndaj krerëve të UÇK-së.

Nga ana tjetër, August Hanning po hetohet nën akuzat për spiunazh dhe lidhje të dyshimta me Rusinë, por pasojat e dokumenteve që ai drejtoi vazhdojnë të rëndojnë mbi themelet e luftës çlirimtare të Kosovës dhe drejtësinë ndërkombëtare, duke ngritur pyetje mbi ndikimet gjeopolitike prapa skenave.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një trajner i nivelit botëror raportohet se është i gatshëm…