Zgjedhjet në Spanjë: Pse kanë “rëndësi” për Kosovën?
Shpallja e zgjedhjeve të parakohshme nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka krijuar pasiguri të reja në Evropë. Ndërsa blloku i majtë në pushtet po humbet mbështetjen, sondazhet e fundit tregojnë rritjen e së djathtës konservatore dhe sovraniste.
Projeksionet e fundit në Spanjë tregojnë se një koalicion i mundshëm mes Partisë Popullore (PP) dhe partisë nacionaliste Vox mund të sigurojë deri në 198 mandate, duke e kaluar me diferencë pragun e shumicës absolute prej 176 vendesh.
PP-ja mbetet forca kryesore e qendrës së djathtë. E udhëhequr nga Alberto Núñez Feijóo, ish-president i rajonit të Galicisë, ajo pritet të marrë rreth 32 për qind të votave. Megjithatë, meqë nuk pritet të mund të qeverisë e vetme, do t’i duhet të kërkojë mbështetjen e Vox-it, e cila parashikohet të marrë rreth 19 për qind të votave. PP-ja dhe Vox-i tashmë qeverisin së bashku në katër rajone dhe në më shumë se 100 komuna, çka e bën të mundshëm bashkëpunimin e tyre edhe në nivel qendror.
Një zhvillim i tillë do të shënonte rikthimin e së djathtës radikale në qeverinë spanjolle, për herë të parë që nga përfundimi i diktaturës së Francisco Francos, pas vdekjes së tij në vitin 1975.
Megjithatë, ndryshe nga qeveria e majtë e Sánchezit, e cila ka ndjekur një qasje relativisht pragmatike ndaj Kosovës, përfshirë njohjen e pasaportës së saj dhe lejimin e udhëtimit pa viza për qytetarët kosovarë, ardhja e Vox-it në pushtet mund t’i krijojë Kosovës sfida të reja.
Vox-i, një parti ultrakonservatore dhe ultranacionaliste, e ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të qëndrimit të saj politik mbi mbrojtjen e unitetit territorial të Spanjës dhe kundërshtimin e separatizmit katalanas. Në këtë kontekst, partia e konsideron njohjen e pavarësisë së Kosovës si një precedent potencialisht të rrezikshëm për integritetin territorial të Spanjës.
Përfaqësues të Vox-it kanë votuar kundër nismave që lidhen me Kosovën në Këshillin e Evropës, kanë kundërshtuar mocionet për njohjen e saj në parlamentin spanjoll dhe kanë kërkuar kufizimin e përdorimit të simboleve të Kosovës në ngjarje politike apo sportive në Spanjë.
Në këtë rrethanë, një qeveri e ardhshme e udhëhequr nga e djathta mund ta ndryshojë qasjen e Spanjës ndaj Kosovës, duke kaluar nga një bllokim kryesisht pasiv në kundërshtim më aktiv ndaj nismave të saj ndërkombëtare. Kjo mund të ndikojë në përpjekjet e Kosovës për të avancuar drejt integrimit evropian dhe euroatlantik, përfshirë synimin për të fituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe për të përparuar drejt anëtarësimit në NATO.



