Ardian Llumnica: Kosova ishte superiore ndaj Malit të Zi

16 tetor 14:09

“Në ndeshjen kundër Malit të Zi, Kosova ishte fantastike dhe paraqitja e saj ishte në vazhdën e paraqitjeve të mira që po bën në këto eliminatore”, kështu e vlerësoi Ardian Llumnica paraqitjen e Kosovës ndaj Malit të Zi, e cila përfundoi me rezultat 2-0. Analisti dhe trajneri i futbollit pikën më të dobët të “Dardanëve” në ndeshjen ndaj malazezëve e cilësoi moskonkretizimin e rasteve të shumta për shënim.

Analisti i futbollit në Kosovë, Ardian Llumnica, e ka lavdëruar përfaqësuesen e Kosovës për paraqitjen e bërë në ndeshjen kualifikuese ndaj Malit të Zi, të cilën “Dardanët” e fituan me rezultat 2-0. Ai ka thënë të martën për “Epokën e re” se Kosova dominoi në të gjitha ndaj kundërshtarit në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse e vetmja dobësi nga futbollistët e drejtuar nga trajneri Bernard Challandes ishte moskonkretizimi i rasteve të shumta që kishin. “Në ndeshjen kundër Malit të Zi, Kosova ishte fantastike dhe paraqitja e saj ishte në vazhdën e paraqitjeve të mira që po bën në këto eliminatore. Ne dominuam në të gjitha aspektet ndaj malazezëve. Brenda këtij dominimi ndaj malazezëve ka diçka që shkoi shumë mirë dhe diçka që duhet përmirësuar, pra duhet të jemi më konkretë”, ka thënë Llumnica.

Trajneri i futbollit, Ardian Llumnica, i lavdëroi lojtarët e mesfushës për atë që treguan, por ka thënë se gabimet në mosshënimin e golave në rastet e krijuara duhet të ndryshojnë në dy ndeshjet e radhës ndaj Çekisë dhe Anglisë për faktin se ato janë skuadra më të forta dhe është e vështirë të krijohen shumë shanse shënimi. “Mesfusha e Kosovës ishte shumë kreative si me posedim, driblim dhe me pasime të sakta. Vlen të theksohet që kishim problem me konkretizim apo finalizim para portës, sidomos në pjesën e dytë. Këtë gjë selektori ynë duhet ta korrigjojë sepse në ndeshjen e radhës kundër Çekisë dhe Anglisë është vështirë të krijohen aq shumë raste ideale për shënim sikurse ndaj Malit të Zi dhe kështu çdo rast të vetëm duhet ta konkretizojmë me gol, madje të jemi vigjilentë edhe në gjysmëraste për shënim”, ka shtuar Llumnica.

Skuadra përfaqësuese e Kosovës dy ndeshjet në kualifikimet për “Euro 2020” i zhvillon në muajin nëntor. Fillimisht i shkon Çekisë e më pas e pret Anglinë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Llumnica ndeshjen ndaj çekëve e ka vlerësuar më të rëndësishmen deri tash për Kosovën, kurse Çekinë e ka cilësuar kombëtare të fortë, por që nuk është e pamposhtur edhe kur luan në shtëpi të vet. “Nuk do mend se ndeshja me Çekinë është më e rëndësishmja e Kosovës deri më tani, madje edhe për çekët është ndeshje kyçe për një biletë në evropian. Ata kanë një kombëtare të mirë në të gjitha aspektet dhe vetë fakti që e mposhti Anglinë tregon për forcën e tyre, por kjo nuk do të thotë se janë të pamposhtur. Tashmë edhe Kosova edhe Çekia janë të njohura me specifikat e kombëtareve dhe kështu forma apo dita e disa futbollistëve si dhe disiplina taktike si grup do të përcaktojnë apo do të jenë faktorë kyçë për fituesin eventual”, ka përfunduar Llumnica.

Kosova pas gjashtë ndeshjeve renditet në pozitën e tretë me 11 pikë, kurse Çekia ka një pikë më shumë dhe renditet në pozitën e dytë.

/Veton ZYMBERI/   

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në bashkëpunim me Klinikën e Kirurgjisë Plastike, shoqata e Kirurgëve…