
Argjend Fetahu i AKB-së e demanton lajmin se ka marrëveshje mes bizneseve dhe gastronomisë për rritje të çmimeve
Aleanca Kosovare e Bizneseve – Zyra e Rrafshit të Dukagjinit i kundërpërgjigjet Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës lidhur me pretendimet e pabazuara në lidhje me deklarimet e fundit publike që sugjerojnë se ka pasur një formë koordinimi apo marrëveshjeje ndërmjet bizneseve në sektorin e furrave dhe gastronomisë për ngritjen e çmimeve.
Kryetari i AKB-së për Rrafshin e Dukagjinit, Argjend Fetahu, shpreh indinjatën e tij dhe reagon fuqishëm ndaj këtyre insinuatave të pabazuara.
“Për hir të së vërtetës, e ritheksojmë qartë dhe prerë: Në komunën e Gjakovës nuk ekziston asnjë marrëveshje kolektive me shkrim ndërmjet furrave apo ndërmarrjeve të tjera për përcaktimin e çmimeve. Kjo është e verifikueshme, e dokumentueshme dhe e mbështetur nga realiteti në terren. Tregu funksionon mbi parimet e ekonomisë së lirë, ku secila ndërmarrje ka të drejtë të vendosë në mënyrë të pavarur për politikat e saj çmimore, në bazë të kostove operacionale, furnizimeve, fuqisë punëtore, kërkesës së tregut dhe faktorëve të tjerë ekonomikë. Kostoja e fuqisë punëtore është një ndër faktorët kryesorë që ndikon në çmimet e produkteve dhe shërbimeve”, tha Fetahu.
‘Rritja e pagave minimale, mungesa e punëtorëve të kualifikuar dhe fluksi i madh i migrimit ekonomik kanë krijuar presion shtesë mbi bizneset vendore. Në këto rrethana, çdo ndërmarrje përpiqet të mbijetojë dhe të ruajë vendet ekzistuese të punës, shpesh në rrethana aspak të lehta. Çdo tentativë për të krijuar përshtypjen e një “koordinimi” të qëllimshëm apo të organizuar në përcaktimin e çmimeve është jo vetëm spekulative, por edhe cenon rëndë imazhin dhe integritetin e ndërmarrjeve lokale që janë hallkë e fortë e ekonomisë sonë. Të flasësh për “ngritje çmimesh të sinkronizuara” pa ndonjë provë konkrete, e aq më pak për ndonjë marrëveshje kolektive të shkruar, është përgjegjësi e rëndë morale dhe institucionale. Nuk mund dhe nuk duhet të lejohet që vështirësitë ekonomike të tejkalohen me akuza të padrejta ndaj atyre që punojnë, krijojnë vende pune dhe mbajnë gjallë ekonominë në nivel lokal”, tha Fetahu.
Tutje ai theksoi se nuk ka pasur kurrfarë marrëveshjeje kolektive në këtë sektor dhe i inkurajon institucionet përkatëse që të dalin në terren, të këshillojnë bizneset për normat ligjore që ndalojnë marrëveshjet kolektive, dhe jo t’i akuzojnë pa prova.
“Kjo është qasja e drejtë, konstruktive dhe në përputhje me frymën e partneritetit mes sektorit publik dhe privat. Aleanca Kosovare e Bizneseve – Zyra e Rrafshit të Dukagjinit do të vazhdojë të jetë zëri i ndërmarrjeve dhe të kundërshtojë çdo përpjekje për të krijuar narativa të padrejta e të dëmshme ndaj bizneseve lokale. Kërkojmë nga të gjitha institucionet përgjegjëse që përpara se të dalin me deklarata publike, të verifikojnë faktet dhe të veprojnë me kujdes, sepse fjalët kanë peshë dhe pasojat e tyre ndikojnë në gjithë klimën ekonomike dhe sociale të vendit”, tha tutje ai.