
Argjend Fetahu i AKB-së paralajmëron protesta: “Tarifa e ZRrE-së po i varfëron qytetarët dhe bizneset”
“Në koordinim të plotë me Selinë Qendrore të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Zyra për Rrafshin e Dukagjinit, e udhëhequr nga Kryetari, z. Mr. Sci. Argjend Fetahu, bashkë me kryesinë e saj të ngushtë, paralajmëron organizimin e protestave gjithëpopullore, të cilat do të përfshijnë biznese të mëdha, të mesme e të vogla, shoqërinë civile, organizata të ndryshme dhe qytetarë të zakonshëm”, kështu thuhet në njoftimin për medie nga zyra e AKB-së për Rrafshin e Dukagjnit.
“Kjo iniciativë vjen si reagim ndaj një padrejtësie të rëndë që po u bëhet bizneseve tona, ku shumë kompani prodhuese dhe eksportuese, që më parë kanë nënshkruar kontrata afatgjata me kompani të Bashkimit Evropian, po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të vendimeve të reja të ZRrE-së për rritjen e tarifave të energjisë. Këto kompani, për shkak të rritjes së kostove të prodhimit, janë të detyruara të rrisin çmimet e produkteve të tyre – duke hyrë kështu në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme ndërkombëtare dhe duke rrezikuar penalitete kontraktuale. Humbjet financiare janë të parashikueshme, si për këto kompani, ashtu edhe për shumë biznese të tjera në Kosovë.
Kjo do të ketë një efekt zinxhir: do të detyrojë prodhuesit të rrisin çmimet, do të rëndojë qytetarin e zakonshëm në një klimë të lartë inflacioni dhe, më shqetësuesja, mund të çojë në falimentimin e shumë bizneseve vendore – të cilat janë ambasadorët tanë ekonomikë në tregjet ndërkombëtare.
Thirrjet tona të vazhdueshme ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji kanë rënë në vesh të shurdhër. Për këtë arsye, protestat do të jenë të pashmangshme. Ato do të përfshijnë bllokime të mundshme të rrugëve dhe arterieve kryesore, ndërsa shumë kompani tashmë kanë deklaruar vullnetin e tyre të lirë që, duke filluar nga dita e protestës, jo vetëm të bllokojnë qarkullimin me mjetet e tyre të punës, por edhe të mbyllin tërësisht aktivitetet e tyre tregtare – deri në pezullimin e vendimit të ZRrE-së.
Theksojmë se AKB nuk ka kërkuar anulimin e vendimit, por shtyrjen urgjente të tij për të paktën një vit, përfshirjen e bizneseve në procesin e konsultimeve vendimmarrëse dhe rishikimin e menjëhershëm të tarifave dhe kushteve të tregut të hapur energjetik. Humbjet që do të shkaktohen gjatë protestave dhe mbylljes së bizneseve do t’i faturohen organit përkatës si pasojë direkte e mosdëgjimit të zërit të sektorit privat.
Bizneset në Rrafshin e Dukagjinit kanë shprehur shqetësimin e tyre legjitim për këtë vendim të njëanshëm, që imponon kalimin e detyrueshëm në tregun e hapur dhe rritjen e tarifave deri në 16.10%. Ky veprim ka sjellë krizë serioze në funksionimin e ndërmarrjeve prodhuese, përpunuese, tregtare dhe shërbyese, duke i zhytur ato në pasiguri të thellë.
Në vend që këto biznese të përkrahen për të hapur vende të reja pune, për të investuar dhe për të rritur konkurrencën, ato po penalizohen për vetë ekzistencën e tyre.
Zyra jonë ka pranuar qindra ankesa nga përfaqësues të bizneseve që e konsiderojnë këtë tarifë të padrejtë, të pajustifikueshme dhe diskriminuese. Heshtja nuk është më një opsion – ajo do të ishte tradhti ndaj atyre që na kanë besuar përfaqësimin.
Për këtë arsye, si Kryetar i Zyrës së AKB për Rrafshin e Dukagjinit, kam autorizuar nisjen e përgatitjeve për protesta gjithëpopullore, të organizuara në mënyrë paqësore, qytetare dhe gjithëpërfshirëse.
Këto protesta nuk janë vetëm shprehje e pakënaqësisë – ato janë një thirrje për drejtësi ekonomike, transparencë institucionale dhe një dialog të hapur e të sinqertë. Nuk do të lejojmë që energjia – elementi themelor i zhvillimit – të shndërrohet në mjet shtrëngimi ndaj sektorit privat.
Zëri ynë është zëri i mijëra sipërmarrësve që çdo ditë punojnë, investojnë, krijojnë punësim dhe mbajnë gjallë ekonominë e vendit. Ne nuk kërkojmë favore – kërkojmë drejtësi, barazi dhe trajtim dinjitoz.
Ftojmë të gjitha mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe opinionin publik që të qëndrojnë pranë nesh në këtë përpjekje të drejtë për të mbrojtur të ardhmen ekonomike të vendit.
Në ditët në vijim do të shpallim agjendën dhe datën zyrtare të protestës.
Zëri i bizneseve dhe qytetarëve do të dëgjohet – heshtja nuk është më opsion!”, përfundon njoftimi i AKB-së.