Arif Molliqi dorëzon në shtyp një roman me ngjarje historike

16 nëntor 2022 | 15:43

Berat Armagedoni

Arif Molliqi ka mbledhur materiale, ka inspektuar dosje dhe pastaj ka hapur arkivin e vendlindjes. Sapo ka bërë këtë punë, ka trazuar mendjen dhe zemrën e shumë njerëzve të qytetit të vet. Ai i shpreh në roman pakënaqësitë e veta dhe të bashkëvendësve ndaj politikanëve dhe ministrave për shkatërrimin e qytetit. Me romanin dokumentar Arkivi i letrave të djegura, sipas bindjes sime, më të mirin nga krijimtaria e tij, ka bërë bashkë letërsinë dhe historinë. Ka treguar çfarë ka ndodhur dhe çfarë ka mundur të ndodhë. Ka ecur paralelisht me to në gjithë romanin jo vetëm në qytetin e lindjes, por deri në betejën e Fushë-Kosovës. Historia, dëshmitë e dëshmitarëve, rrëfimet e tyre, letrat, dosjet, gjykimet e protagonistit të romanit për djegien e arkivit të qytetit, i cili ka tipare autobiografike, i kanë dhënë romanit karakter të dokumentarit. Jo vetëm historia, jo vetëm të ndodhurat në qytezën rrëzë bjeshkëve, jo vetëm dosjet, por prapaskenat e personave për ta penguar kërkimin këmbëngulës të protagonistit në arkiv, e kanë bërë të veçantë këtë roman. Çfarë i shqetëson ata se çfarë pune bën protagonisti në arkiv? Pse i shkojnë pas kudo që shkon? Pse interesohen për punën e tij? Kush përpiqet ta frikësojë? Pse dhe kush e ka djegur arkivin? Çfarë ka djegur në arkiv? Çfarë dëshmish ka gjetur protagonisti në arkiv? Çfarë dëshmish janë ato? Pse kërkojnë njerëzit mëshirë prej tij? Çfarë i rrëfejnë ata? Këtyre dhe qindra pyetjeve të tjera u jepet përgjigje në roman. Përpos këtyre pyetjeve të panënkuptuara, në këtë roman me ngjarje historike mësojmë për luftën dhe për pasluftën. Mësojmë për shumë ndodhi dhe mbrapshti në Manastirin e Deçanit. Mësojmë, po ashtu, dhe mezi gëlltitemi, kur shohim varrin e xhelatit pranë viktimës. Arkivi i letrave të djegura, edhe pse nuk e ka, na duket sikur e ka një kryeagjent që përpiqet të zbulojë shumëçka të agjentëve dhe të miqësisë së shqiptarëve me serbë. Se sa punë të mirë bën ai e se ç’gërshetim mes historisë dhe letërsisë ka bërë Molliqi, mund të gjykoni vetë kur ta lexoni romanin.

Libri në javën e ardhshme shpërndahet nëpër librari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autorja më e suksesshme në të gjithë hapësirën shqipfolëse, Antigona…