Arifaj, mes ofertave dhe qëndrimit te Feronikeli

07 qershor 2018 | 15:43

Brenda dy ditësh do të vendoset e ardhmja e sulmuesit Granit Arifaj. Sulmuesi ka marrë ofertë edhe nga Besa e Pejës, por nuk e mohon mundësinë e qëndrimit në “Nikel”.

Pavarësisht se është raportuar shumë nëpër medie se Granit Arifaj nuk bën pjesë në planet e Feronikelit për edicionin 2018/2019, futbollisti në fjalë të mërkurën për “Epokën e re” ka thënë se ende zyrtarisht është pjesë e kësaj skuadre dhe se ka gjasa të mbetet sërish pjesë e saj. “Ende zyrtarisht nuk jam larguar nga Feronikeli. Deri në fund të kësaj jave do të vendoset gjithçka, por ekziston mundësia të mos largohem. Nëse gjejmë gjuhë të përbashkët me drejtuesit e klubit, pa ndonjë problem mund të mbes pjesë e klubit aktual”, ka thënë Arifaj.

Fotografia e Arifaj Granit

Gjatë ditëve të fundit në adresë të Arifajt nuk kanë munguar ofertat nga klubet e Vala Superligës dhe Ligës së Parë. Sulmuesi shtatlartë nuk hezitoi të tregojë për kontaktet me Besën e Pejës, e cila do të bëjë gara në Ligën e Parë. “Ofertë kam nga Besa dhe ende jemi në bisedime, por diçka konkrete nuk ka. Edhe dy klube të tjera më kanë kontaktuar, por emrat e tyre tash për tash nuk kisha dashur t’i bëjë publik”, ka deklaruar ai.

Granit Arifaj në rast se transferohet te Besa do të punojë sërish me ish-trajnerin Ismet Munishi. Ashtu sikurse e ardhmja e Arifajt, ende nuk dihet përfundimisht as e ardhmja e lojtarëve kryesorë në edicionin e fundit në skuadrën e Feronikelit, Mark Milicaj, Qemail Elshani, Albert Dabiqaj dhe Behar Maliqi.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokuroria dhe Policia e Kosovës janë duke hetuar ndarjen e…