Armenët votojnë në zgjedhjet parlamentare

09 dhjetor 2018 | 15:18

Në Armeni janë duke u mbajtur zgjedhje të parakohshme parlamentare, vetëm nëntë muaj pasi qindra mijëra persona protestuan, që çoi në ndryshimin paqësor të Qeverisë.

Sondazhet parazgjedhore kanë treguar se aleanca politike e kryeministrit në detyrë, Nikol Pashinian, është favorit për të fituar zgjedhjet parlamentare.

Ishte Pashinian ai që ka udhëhequr protestat që çuan kryeministrin Serzh Sarkisian të japë dorëheqje nga ky post.

Më pas Pashinian ishte zgjedhur kryeministër edhe pse partia e Sarkisian, Partia Republikane ka pasur shumicën në Parlament.

Në muajin tetor, Pashinian pati njoftuar se do të japë dorëheqje dhe do të shpërbëjë Parlamentin, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Edhe pse ka dhënë dorëheqje, ai është kryeministër në detyrë, derisa Parlamenti armen të zgjedhë kryeministrin e ri pas zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, përveç aleancës së Pashinianit po garojë edhe nëntë parti dhe aleanca të tjera politike, të cilat po synojnë të fitojnë ulëse në Asamblenë Kombëtare prej 101 anëtarësh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tri skuadrat e radhës që e kanë siguruar kualifikimin në…