Armëpushimi me Iranin në “gjendje kritike”, SHBA shqyrton rikthimin e veprimeve ushtarake
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se armëpushimi me Iranin është “jashtëzakonisht i dobët” dhe ndodhet në një gjendje kritike, ndërsa administrata amerikane po shqyrton mundësinë e rikthimit të veprimeve ushtarake kundër Teheranit.
Gjatë një deklarate në Zyrën Ovale, Trump e krahasoi situatën e armëpushimit me një pacient “në aparatura jetësore”, duke thënë se shanset për mbijetesën e marrëveshjes janë minimale.
Sipas raportimeve të Axios, Trump do të zhvillojë këtë të hënë një takim me ekipin e sigurisë kombëtare për të diskutuar hapat e ardhshëm në konfliktin me Iranin, përfshirë mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake.
Në takim pritet të marrin pjesë zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari special Steve Witkoff, sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.
Trump akuzoi Teheranin se ka tërhequr dakordësinë për lejimin e largimit nga SHBA të rezervave të uraniumit të pasuruar, ndërsa e cilësoi propozimin e fundit iranian për t’i dhënë fund luftës si “të papranueshëm” dhe “mbeturinë”.
Nga ana tjetër, Irani ka refuzuar propozimin amerikan, duke deklaruar se kërkesat e Uashingtonit përbëjnë “dorëzim” ndaj kushteve të Trumpit.
Megjithatë, presidenti amerikan u shpreh se një zgjidhje diplomatike mbetet ende e mundur dhe tha se administrata e tij ka një plan për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas dy zyrtarëve amerikanë të cituar nga Axios, Trump po anon drejt ndërmarrjes së një forme aksioni ushtarak për të rritur presionin ndaj regjimit iranian dhe për ta detyruar atë të bëjë lëshime në programin bërthamor.



