Arrestim i poshtëruar. Transformim që flet vetë. Çfarë na tregon historia e Metës?
Shkruan: Lori Sina
Në vitin e 13 të qeverisjes së udhëheqësit është bërë e qartë që çdo goditje politike mbart një mesazh më të madh se vetë ngjarja. Arrestimi i Metës dikur u shit si akt force.
Sot, pas dy vitesh, ajo që shohim është diçka krejt tjetër, një transformim drastik i figurës së tij. Dikur një nga njerëzit më të fuqishëm të Republikës, sot në një figurë të konsumuar, të lodhur, të zhveshur nga aura e dikurshme politike.
Nuk është më vetëm çështje arrestimi.
Është çështje rrënimi.
Dhe kjo ngre pyetjen thelbësore:
a ishte drejtësi, apo një proces që synonte më shumë se ndëshkimin, shkatërrimin politik?
Në më pak se 8 muaj para zgjedhjeve, mesazhi që u dha nga arrestimi i Metës në 2024 ishte i qartë: kush më del përballë, nuk mjafton të humbasë, duhet të zhduket nga loja.
Një drejtësi që nuk arriti të ndalojë figura të tjera të përfolura, si ish-numrin 2 të qeverisë së atëhershme apo edhe ish-numrin 2 të qeverisë së sotshme, përkatësisht Ahmetajn dhe Ballukun, por që vepron me intensitet selektiv, krijon një perceptim të rrezikshëm për vendin.
Sepse nuk është më vetëm çështje ligji, është çështje balance. Arrestimi i Metës nuk tregoi vetëm forcë, tregoi edhe arrogancën e pushtetit kur nuk ka frikë nga kundërpesha.
Dhe sot, me një opozitë të copëzuar, pyetja nuk është më “çfarë ndodhi me Metën”, pyetja është çfarë ndodh me një vend kur çdo kundërshtar politik përfundon njësoj?
Institucionet e “pavarura”, të bekuara nga ndërkombëtarët, duket se funksionojnë, por për kë?
Sepse faktet e fundit tregojnë një gjë të thjeshtë: pushteti nuk po sfidohet dhe kur pushteti nuk sfidohet, ai nuk di të ndalet.
Ps: Dikur ndryshonin njerëzit. Sot ndryshohen njerëzit.



