Arrestohen dy persona në aksionin “Brezovica”

16 mars 2022 | 12:16

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar së në kuadër të aksionit “Brezovica” ka arrestuar dy persona dhe ka bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, duke përfshirë edhe objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë.

Në këtë aksion është arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica” dhe një doganier, si të dyshuar për veprën penale “marrja e ryshfetit”.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, personat e arrestuar, N.G, doganier, dhe S.I, kryetar i bordit të ‘Ski Center Brezovica’, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘Marrje e ryshfetit’ nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)-së”, ka njoftuar prokuroria.

Aksionet e koduara si “Brezovica”, kanë nisur qysh në fund të vitit të kaluar.

Në shënjestër të tyre janë personat e dyshuar për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri” në zonën e Brezovicës.

Në fillim të muajit mars, në kuadër të këtyre aksioneve janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.

Aksioni ishte zhvilluar në 12 lokacione të ndryshme në katër komuna të Kosovës, përkatësisht në Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan, por nuk ka dhënë detaje se cilës komunë i përkasin personat e arrestuar.

Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”.

Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eliminimi i Paris Saint-Germain në UEFA Champions League kundër Real…