Arrestohen tre persona për vjedhje të rëndë në Mitrovicë
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë” në Mitrovicë, pas raportimit të dy rasteve të thyerjes së lokaleve në lokacione të ndryshme të qytetit. Sipas njoftimit të policisë, rastet janë raportuar në orët e mëngjesit të 19 shkurtit në stacionin policor – Mitrovicë Jugu. Njësitë kompetente policore kanë reaguar menjëherë dhe, pas disa orësh veprime operative dhe hetimore, kanë arritur të identifikojnë tre të dyshuar, njëri prej të cilëve i mitur. Gjatë kontrollit tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar gjësendet e vjedhura nga lokalet e thyera. Të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor, ku janë intervistuar dhe janë ndërmarrë procedurat e nevojshme hetimore.
Me vendim të prokurorit të rastit, ndaj tyre është iniciuar rasti penal për veprën “vjedhje e rëndë”, ndërsa të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.



