Arrestohet një i dyshuar për pastrim parash
Një person është arrestuar nën dyshimin për pastrim parash në vlerë mbi 2 milionë euro pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit, hetimet janë zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me autorizim të Prokurorisë Speciale ndaj gjashtë personave të dyshuar, të gjithë shtetas të Kosovës.Ata dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të mashtrimit.
Hetimet zbulojnë se nga viti 2015 deri në vitin 2019 të dyshuarit kanë mashtruar qytetarë përmes shitjes së avio-biletave, për çka ndaj tyre janë iniciuar kallëzime penale në prokuroritë përkatëse.
Policia ka bërë të ditur se gjatë hetimeve është siguruar se njëri nga të dyshuarit përveç përfshirjes në mashtrimet me bileta, dyshohet edhe për pastrim parash përmes disa kompanive që kontrolloheshin prej tij.Këto kompani, sipas autoriteteve, rezultojnë të jenë në pronësi të të arrestuarit dhe janë përdorur për realizimin e skemës së pastrimit të parave.
Vlera e përgjithshme e parave që dyshohet se janë pastruar përmes këtyre kompanive tejkalon shumën prej 2 milionë euro.
Po ashtu, hetimet financiare kanë zbuluar se i dyshuari ka bërë deponime në para të gatshme mbi 800 mijë euro, për të cilat nuk ka arritur të dëshmojë prejardhjen dhe nuk janë justifikuar me aktivitetin e tij ekonomik të deklaruar.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim./kallxo.com



