Arrestohet një person në Vërmicë, dyshohet se kontrabandoi me migrantë

26 shtator 2021 | 17:05

Policia e Kosovës ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka kontrabanduar me migrantë, dy prej të cilëve fëmijë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sot rreth orës 07:45, zyrtarë të Policisë së Kosovës nga Stacion Policor Kufitar-Vërmicë deri sa ishin në lëvizje me automjet në drejtimin Prizren-Vërmicë, në afërsi të nënkalimit të autostradës “Ibrahim Rugova” kishin vërejtur një veturë të tipit Audi A5, ngjyrë e zezë, me targa vendore.

Sipas policisë, në atë lokacion, disa persona u vërejtën duke zbritur nga mali dhe duke kaluar rrethojën e autostradës, të cilët menjëherë filluan me shpejtësi të hynin në veturë. Vetura u nis menjëherë në drejtim të Prishtinës.

“Zyrtarët policor ndërmorën veprime të menjëhershme dhe arritën që veturën ta ndalin në autostradë, rreth 2 Km nga Pika kufitare e Vërmicës. U identifikua drejtuesi i automjetit m/k me iniciale L.N.(1987), përderisa pasagjerë ndodheshin gjashtë (6) persona shtetas të huaj, prej tyre dy fëmijë. Katër nga shtetasit e huaj kishin dokumente identifikimi, pasaporta me viza valide. Në bagazhin e veturës i fshehur u gjend njëri nga shtetasit e huaj”, thuhet nga PK.

Policia ka bërë të ditur se është informuar Prokurori i shtetit në Prizren, i cili ka autorizuar inicimin e rastit, dhe katër pasagjerëve shtetas të huaj iu refuzohet hyrja dhe deportohen në Shqipëri, përderisa dy pasagjerë tjerë dërgohen në Qendrën për azil.

Ndaj personit të dyshuarit sipas PK-Së, iniciohet rasti për procedurë të rregullt dhe hetime të mëtejme.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të miturit në Kinë, mund t’i thonë lamtumirë edhe pjesë…