Arrihet pajtimi për shkëmbim të të burgosurve në lindje të Ukrainës

25 dhjetor 2017 | 17:30

Autoritetet ukrainase dhe separatistët pro rusë janë pajtuar për shkëmbim të të burgosurve më 27 dhjetor në lindje të Ukrainës.

Njoftimi është bërë publik sot nga liderët separatistë dhe përfaqësuesit e qeverisë ukrainase, pas një takimi në Moskë.

Takimi ishte ndërmjetësuar nga udhëheqësi i Kishës Ortodokse Rusë, Patriarku Kirill.

Më herët gjatë ditës, zëvendësja e parë e parlamentit në Ukrainë, Iryna Herashchenko, ka njoftuar përmes një postimi në “Facebook” se “do të lirohen 74 ukrainas më 27 dhjetor”.

“Ne do t’i shkëmbejmë ata për 306 persona tjerë”, ka shtuar ajo.

Përfaqësuesi i qeverisë ukrainase, Viktor Medvedchuk, ka thënë se Kievi është i gatshëm të lirojë 306 persona derisa shpreson që separatistët të lirojnë 74 të tjerë.

Lideri separatist, Aleksandr Zakharchenko, ka thënë se të dyja palët janë pajtuar sipas planit “306 për 74”.

Ende nuk është bërë e ditur nëse ky numër përfshin të gjithë të burgosurit e luftës. Sidoqoftë Patriarku Kirill, ka thënë se shpreson që “ky shkëmbim i të burgosurve të fillojë procesin, sepse jo të gjithë ata që po mbahen në burg janë të përfshirë në listë”.

Në luftimet mes forcave të Kievit dhe separatistëtëve pro rusë që mbajnë disa pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, janë vrarë më shumë se 10,300 persona nga prilli i vitit 2014.

Pasi një takimi në Minsk më 20 dhjetor në mes të përfaqësuesve të Rusisë, Ukrainës, separatistëve dhe OSCE-së, është njoftuar se është arritur një armëpushim gjatë periudhës së festave, përkatësisht më 23 dhjetor.

Mirëpo gjatë ditës së sotme, të dy palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkelje të këtij armëpushimi.

Deri më tash janë shkelur një varg armëpushimesh, të cilat kanë qenë të bazuara në marrëveshjen e Minskut. (Rel)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të…