Arta e ‘kohëve të arta’ iu rikthehet roleve dramatike dhe atyre komike në filma e seriale

11 shkurt 2023 | 19:39

Aktorja Arta Muçaj ka tash e sa vite që i është rikthyer Kosovës, pas një jetese shumë të gjatë në Australi.

E me t’u kthyer në vendin e saj, Arta është bërë pjesë e shumë projekteve kinematografike vendore, ku ndër të fundit numërohet roli i saj në filmin “Adnan Kafazi”.

E gjendur në Prishtinë për premierën e këtij filmi, Arta për Telegrafin e cilësoi pjesëmarrjen në këtë film si një nga eksperiencat më të mira.

“Për mua ka qenë një eksperiencë tepër e mirë sepse të them të drejtën unë në këtë zhanër të filmit dramë/krim nuk kam luajtur përpara. Domethënë kanë qenë pak a shumë disa role të errëta. Por e mira është që unë në premiera e të filmave s’para kam qenë sepse kam qenë në Australi larg, kështu që po pres që publiku do ta pëlqejë”, tha Arta për Telegrafin.

Tutje, ajo tha se kanë kaluar tashmë afro katër vite që kur la kontinentin e largët, teksa e pyetur për dallimin mes kinematografisë vendore dhe asaj australiane, aktorja tha se nuk sheh ndonjë dallim të madh.

“Janë bërë nja tri vite e gjysmë – katër që jam kthyer. Kjo formulë e zanatit tonë është e njëjtë, nuk është një dallim shumë i madh, Ndoshta normal që fondet janë më të mëdha, buxheti është më i madh e konkurrenca më e madhe besa besa, por thellë thellë formula është e njëjtë, edhe në teatër edhe në film”, theksoi Arta.

Lajmi se telenovela e parë shqiptare “Njerëz dhe Fate” mund të jetë drejt rikthimit, ka entuziazmuar një pjesë të madhe të shqiptarëve.

Arta e cila në këtë telenovelë ishte aktorja e vetme nga Kosova që merrte pjesë dhe kishte një nga rolet më të frikshme në kast, tha se është shumë entuziaste për rikthimin e mundshëm të serialit.

“Unë sapo u ktheva, isha njj dy-tre ditë në Tiranë. Edhe të them të drejtën është në proces e sipër, skenari është gati, por po presim të marrim fonde – ato ia kemi lënë në dorë producentit edhe nuk dihet data e saktë se kur do të fillojmë, por besoj këtë vit po. Kanë kaluar 20 vjet dhe s’po më besohet, por mezi po pres sepse e kam një rol shumë për qejfi që e dua shumë”, tha aktorja Muçaj.

Duke qenë se ka jetuar për një kohë të gjatë në Tiranë, aktorja tha se patjetër që ndjen mall për rolin e saj dramatik në “Njerëz dhe Fate”, ndonëse karakteri i saj pas 20 vitesh mund të ketë ndryshuar, dhe të mos jetë më ajo ‘Didi’ e keqe që të gjithë e njihnin.

“Mua më ka marr shumë malli për ‘Didin’ edhe për Shqipërinë të them të drejtën edhe jam çuditur që njerëzit akoma po e shohin, po shfaqet në TV dhe nuk i kanë harruar karakteret. Atë s’mund ta zbuloj, por po ia lëmë kohës sepse nuk e di. E di pa ka shumë se çfarë do të ndodhë por saktësisht jo”, ka përfunduar Arta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banorët e shtëpisë më të ndjekur të momentit – Big…