As pozita e as opozita nuk janë në nivel të detyrës

21 shtator 2018 | 16:46

Njohësi i proceseve politike në vend, Mazllum Baraliu, ka fajësuar pozitën dhe opozitën për gjendjen krijuar në Kuvendin e Kosovës. Ai ka deklaruar se asnjëra palë nuk është në krye të detyrës dhe përgjegjësisë që ka.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Baraliu ka thënë se mënyra e punës së kësaj legjislature me bllokime e bojkote është e papranueshme.

“Fatkeqësisht, as pozita dhe as opozita nuk janë në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë që kanë, qoftë në relacion me votuesit e tyre dhe me institucionin që i përkasin, si dhe me mandatin që kanë marrë. Prandaj, një gjë e tillë është e papranueshme. Kjo mënyrë e punës së kësaj legjislature është diçka që nuk do të duhej të ndodhte”, ka thënë Baraliu.

Ai e ka ftuar pozitën dhe opozitën që sa më shpejt t’i kthehen gjuhës së konsensusit dhe të arrijnë pajtueshmëri për disa çështje.

Megjithatë, Baraliu ka shprehur skepticizëm se kjo klasë politike do të mund të gjejë gjuhë të përbashkët për fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Në bazë të përvojës së deritashme që kemi pasur, nuk mund të konkludojmë se kjo klasë politike dhe këto institucione do ta gjejnë fuqinë, energjinë dhe vullnetin e tyre për të arritur konsensus. Asnjëherë deri më tani në krizat që kaluam para VLAN-it, pas VLAN-it dhe më vonë nuk pati vullnet dhe fuqi kjo klasë politike të ngrihet në nivel të detyrës dhe ta tejkalojë vetveten në mënyrë që të ketë konsensus për çështjet që i përmenda më sipër”, është shprehur ai, duke shtuar se Kosova nuk duhet të shkojë në dialog me Serbinë pa pasur një konsensus në mes të subjekteve politike për këtë çështje.

Sipas tij, nëse partitë politike nuk arrijnë ta ndërtojnë një konsensus për këtë çështje, alternativë e vetme mbesin zgjedhjet e reja.

“Nëse nuk do të gjendet një pajtim mes subjekteve politike për dialog dhe për çështje të tjera kombëtare, patjetër se duhet të shikohet mundësia e mocionit të mosbesimit për ta rrëzuar Qeverinë. Nuk ka zgjidhje tjetër pos hapjes së rrugës për zgjedhje të reja, ku do të bëhet verifikimi edhe një herë i cilido subjekt politik”, është shprehur Baraliu, duke shtuar se zgjedhjet e reja do ta sjellin krijimin e një legjitimiteti dhe legaliteti të ri.

“Epoka e re”: Z. Baraliu, Kuvendi i Kosovës ka nisur sesionin vjeshtor të punës, por nuk po arrin ta kryejë funksionin si duhet. Ai po has në pengim të punimeve nga pozita dhe opozita. Cili është komenti juaj rreth kësaj gjendje?
Baraliu: Që një kohë relativisht të gjatë, të paktën nga prilli i këtij viti, Kuvendi i Kosovës si organi më i lartë legjislativ, në një formë apo në një tjetër është joefikas, i bllokuar, i bojkotuar dhe jo sa duhet produktiv. Pra, ky institucion nuk po mund t’i kryejë detyrat që dalin nga plani legjislativ i tij për këtë vit kalendarik. KDI-ja si monitorues i punës së Kuvendit ka konstatuar se opozita i ka bojkotuar rreth 20 për qind të votimeve gjatë seancave të ndryshme, kurse vetë pozita i ka bojkotuar rreth 19 për qind të votimeve të seancave. Aty ku duhet, sipas legjislacionit në fuqi, që Kuvendi të vendosë me dy të tretat e votave të deputetëve, thjesht Kuvendi është i bllokuar pothuajse në tërësi gjatë gjithë kësaj legjislature. Prandaj, marrë në tërësi, Kuvendi nuk ka arritur t’i përmbushë obligimet e veta dhe, si rrjedhojë, Kosova nuk ka arritur t’i përmbushë obligimet e veta ndaj BE-së. Ndaj këtyre veprime edhe BE-ja është e shqetësuar. Tash së fundi kemi pasur reagim të shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila thotë se me këtë mënyrë të luftës politike në mes të subjekteve politike të ashpërsuar deri në animozitet, Kuvendi nuk po arrin ta përmbushë funksionin e vet kushtetues.

“Epoka e re”: Kuvendi ka ngecur në një situatë ku nuk po mund të marrë ndonjë vendim në lidhje me fazën finale të dialogut me Serbinë. Pozita nuk po mund ta bëjë kuorumin për votimin e ekipit negociator për bisedime, kurse opozita nuk po mund të krijojë kuorum për miratimin e një rezolute për këtë fazë të dialogut. Si mund të tejkalohet kjo situatë?
Baraliu: Fatkeqësisht, as pozita dhe as opozita nuk janë në nivel të detyrës dhe përgjegjësisë që kanë, qoftë në relacion me votuesit e tyre dhe me institucionin që i përkasin, si dhe me mandatin që kanë marrë. Prandaj, një gjë e tillë është e papranueshme. Kjo mënyrë e punës së kësaj legjislature është diçka që nuk do të duhej të ndodhte. Së pari, çështjet prioritare legjislative do të duhej të votoheshin dhe pjesëmarrja e subjekteve politike në seanca do të duhej të ishte veçanërisht kur kemi të bëjmë me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat i sjellin Kosovës miliona euro. Kjo gjendje është e rëndë, është një bllokim dhe një ngecje që nuk mund t’i përshkruhet vetëm pozitës apo vetëm opozitës. Ekipi negociator dhe platforma politike janë çështje me interes kombëtar dhe në këtë drejtim do të duhej të gjendej një konsensus.

“Epoka e re”: Si ngjarje urgjente tani po shihet konsensusi kombëtar për çështjen e bisedimeve me Serbinë. Do të mund ta tejkalojnë vetveten këto subjekte politike për të arritur një konsensus të tillë?
Baraliu: Në bazë të përvojës së deritashme që kemi pasur, nuk mund të konkludojmë se kjo klasë politike dhe këto institucione do të gjejnë fuqinë, energjinë dhe vullnetin e tyre për të arritur konsensus. Asnjëherë deri më tani në krizat që kaluam para VLAN-it, pas VLAN-it dhe më vonë nuk pati vullnet dhe fuqi kjo klasë politike të ngrihet në nivel të detyrës dhe ta tejkalojë vetveten në mënyrë që të ketë konsensus për çështjet që i përmenda më sipër. Duke u bazuar në këtë, unë shpreh dyshimin tim se mund të bëhet diçka. Madje kemi parë se edhe brenda pozitës dhe opozitës kemi qëndrime të ndryshme. Në këtë mënyrë kjo klasë politike nuk është në gjendje t’i tejkalojë dallimet dhe të merret vesh për një platformë e cila do të sillte konsensus.

“Epoka e re”: A duhet të shkojë Kosova në dialog pa një platformë dhe ekip negociator të miratuar në Kuvend?
Baraliu: Nuk duhet të shkohet në bisedime pa një platformë dhe pa përgatitje, pa marrë parasysh ingerencat kushtetuese. Është koha e fundit e vetëdijesimit të kësaj klase politike që në Kuvend të merren vesh për këto çështje. Po ashtu, Kosova nuk ka nevojë të ngutet për dialog me Serbinë. Do të duhej që të ketë durim, të bëhet punë dhe të arrihet një marrëveshje konsensuale para se dikush të shkojë atje për interesa të Serbisë, apo qarqeve të caktuara të Bashkimit Evropian, i cili është në një situatë krize. Ne duhet të përgatitemi dhe të jemi të unifikuar si klasë politike në këtë proces. Përndryshe, mund të bëhen gabime edhe më të mëdha sesa këto që janë bërë gjatë këtyre viteve.

“Epoka e re”: Nëse kjo klasë politike nuk do të arrijë t’i tejkalojë inatet dhe të gjejë një konsensus për çështje kombëtare, si duhet të veprohet? Zgjedhjet, a janë alternativë?
Baraliu: Nëse nuk do të gjendet një pajtim mes subjekteve politike për dialog dhe për çështje të tjera kombëtare, patjetër se duhet të shikohet mundësia e mocionit të mosbesimit për ta rrëzuar Qeverinë. Nuk ka zgjidhje tjetër pos hapjes së rrugës për zgjedhje të reja, ku do të bëhet verifikimi edhe një herë i cilido subjekt politik. Zgjedhjet e reja do ta sjellin krijimin e një legjitimiteti dhe legaliteti të ri, pra do të kemi një strukturë të re qeverisëse e cila, ndoshta, do ta menaxhonte më mirë ardhmërinë e këtij shteti dhe konsolidimin e tij. Kështu si po ecët, nuk ka kuptim. Kjo klasë politike duhet të kuptojë se kështu më nuk bën të vazhdohet. Kosova më tepër se kurdoherë ka nevojë ta përdorë dhe të aplikojë fjalën unifikim në mënyrë që të tejkalohet kjo gjendje e krizës politike.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Lisen Bashkurti Dita e referendumit në Maqedoni po afrohet.…