Asambleisti i Prishtinës, Yll Bogaj jep dorëheqje nga AAK-ja
Asambleisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Yll Bogaj, ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pas një angazhimi të gjatë që nga viti 2007.
Përmes një deklarate publike, Bogaj ka theksuar se vendimi i tij vjen pas zhgënjimit me proceset e brendshme në parti, të cilat sipas tij nuk kanë reflektuar kontributin dhe sakrificën e dhënë ndër vite.
“Pas një rrugëtimi të gjatë me AAK-në (2007–2026), sot kam vendosur ta mbyll angazhimin tim në këtë subjekt. Gjatë këtyre viteve jam angazhuar me seriozitet të plotë, me shumë punë dhe përkushtim, duke besuar se po jap kontribut për qytetarët dhe për vlerat që i kam mbrojtur gjithmonë. Por sot e shoh se procesi i reformës së brendshme nuk po e pasqyron as kontributin, as sakrificën e dhënë”, ka shkruar ai.
Bogaj ka theksuar se largimi nga subjekti nuk i ka shkaktuar dhimbje, por zhgënjim nga, siç i quan ai, njerëz dhe qëndrime nga të cilat ka pritur korrektësi dhe besim.
“Nuk më dhemb largimi nga subjekti, por zhgënjimi nga njerëz dhe qëndrime prej të cilave kam pritur korrektësi, besim dhe bashkudhëtim. Kur përkushtimi dhe lojaliteti përballen me pabesi, heshtja nuk është më virtyt. Në këto rrethana, dorëheqja ime është qëndrim për të mos qenë numër por vlerë”, ka shtuar ai.
Ai ka bërë të qartë se dorëheqja nga AAK-ja nuk nënkupton tërheqje nga politika apo nga përgjegjësitë e tij si asambleist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
“Kjo dorëheqje nga AAK-ja nuk është dorëheqje nga kauza, as nga njerëzit, as nga përgjegjësitë e mia në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Gjithmonë do të jem person politik dhe i angazhuar në dobi qytetare e komunitare”, ka deklaruar Bogaj.
Në fund, ai ka theksuar se largohet “me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër”, duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që, sipas tij, kanë qenë të sinqertë gjatë këtij rrugëtimi.



