“Asdreni” në Llabjan – 75 vjet punë edukativo-arsimore

11 prill 2022 | 10:55

Shkolla e sotme fillore dhe e mesme e ulët “Asdreni” në Llabjan punën e ka filluar në vitin 1947 dhe sivjet i bën 75 vjet punë edukativo-arsimore.

Në Mejtepin e fshatit në vitin 1947 filloi mësimin shkolla e parë shqipe me 18 nxënës të moshave të ndryshme, ndër ta që ne i dimë janë: Beqir Isufi, Jakup Ymeri, Shaip Mustafa, Ymer Ymeri, Qazim Halimi, Ismail Veliu, Mahmut Veliu etj.

Mësues i parë ishte Bajram (Bahtijar) Krasniqi i lindur më 1918 në Llabjan. Ai si shumë fëmijë të tjerë shkollimin fillor e kreu në gjuhën serbe në Shkollën Fillore të Slivovës, ku ishin të obliguar t’i vijonin mësimet nxënësit e fshatrave Slivovë, Llabjan, Busi, Mramor dhe një pjesë e Marecit, kurse gjatë Luftës së Dytë Botërore në këtë shkollë prej 22.7.1942 deri më 15.9.1942 është organizuar kursi për mësim të lexim-shkrimit në gjuhën shqipe, me mësues Rrahmon Palushi, kurs  të cilin e kanë ndjekur dy mësuesit e parë të shkollës sonë, mësuesi Bajram dhe mësuesi Raif Veliu. Mësuesi Bjaram në vitin 1953 u shpërngul me familje për në Prishtinë, kurse më 1.10.1965 u shpërngul për në Turqi. Vdiq në vitin 2001 në Stamboll duke lënë pas 8 fëmijë dhe 28 nipër e mbesa.

Në vitin 1949 shkolla vendoset në Hanin e Llabjanit, këtu ka punuar një paralele e kombinuar-kolektive, katër klasëshe,  mësues ka qenë Raif Veliu nga Llajshefci, në këtë objekt mësimi ka vazhduar deri në vitin 1964, kur banorët e fshatit ndërtuan objektin shkollor me tri mësonjëtore, një sallë të mësimdhënësve dhe një zyre.

Deri më 1962 kjo shkollë ishte e pavarur, emrin e kishte “ Emin Duraku” pas formimit të komunës së Novobërdës shkolla emërtohet “ Momqillo Popoviq” më vonë “Moshe Piade” dhe deri në vitin 1971 ka qenë paralele e ndarë fizike e shkollës tetëvjeçare serbe të Prekocit. Më 1967 hapet klasa e pestë me nxënës nga Llabjani, Llajshefci,, Brusi e Verbica, kurse më vonë edhe nxënës nga Makreshi e Tullart. Më 1971 shkolla pavarësohet dhe në vitin 1973 emërtohet me emrin “ Bora dhe Ramizi” deri më 20.6.1992 kur u emërtua me emrin e poetit “ Asdreni” propozim i arsimtarit Sabri.

Paralelja e Ndarë Fizike në Koznicë është çelë me vendimin e Sekretariatit të Arsimit  të Komunës së Prishtinës në vitin 1987 në shtëpinë e Abaz Latifit. Shkolla kishte 26 nxënës dhe mësimi organizohej në klasë të kombinuara.

Në vitin 1994 fshataret në Koznicë me vet kontribut ndërtuan objektin shkollor, i cili kishte 2 mësojtore dhe 1 zyre. Pas vitit 2000 me një donacion nga UFORK u ndërtua shkolla e re me kushte bashkëkohore.

Prej vitit 1966 deri më 1990 në shkollë kanë mësuar edhe nxënësit serb. Policia serbe, më 16.10.1991, mësimdhënësit dhe nxënësit shqiptarë i nxori me dhunë nga objekti shkollor. Mësimet në gjuhën shqipe për nxënësit e kësaj shkolle rifilluan më 19.1.1992 në ndërtesën e Mejtepit, kurse në objektin e shkollës së vjetër filloi më 1.2.1991 deri më 22.3.1999 kur filluan bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe.

Në vitin shkollor 2001/2002 filloi të mbante mësim edhe klasa e IX-të me ç’rast u bën dy paralele me nxënës nga Llabjani, Slivova dhe Novobërda. Shkolla e re në Koznicë (PNF) u ndërtua me donacion nga UFORK-u në, vlerë prej 240.000 DM. Gjithashtu me një donacion nga IRC-ja në vlerë  5000 DM shkolla u furnizua me teknologji informative.

Në vitin shkollor 2010-2011 u bë ndërtimi i katit të dytë në vlerë prej 140.000 euro dhe u krijuan kushte për mësim me një ndërrim.

Sot në shkollë punojnë 26 punëtorë, kurse mësimin e vijojnë 254 nxënës, duke llogaritur  edhe fëmijët parashkollor. Shkolla jonë që tetë  vite ka filluar me Kurrikulën e Re, nga klasa parafillore deri në klasën e nëntë. Në vitin 2015  në garën “Siguria në rrugë”, në nivel të Republikës së Kosovës ka zënë vendin e tretë, kurse në garën e gjuhës angleze në Kolegjin “Mehmet Akif”  kemi arritur në finale. Më 19 shkurt 2016 shkolla jonë ka qenë nikoqire  së bashku me USAID-in e organizmit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, ku prezent ishin Ambasadori Amerikan Greg Dellawie, Drejtori i Përgjithshëm i USAID-t Jemes Hope, mësimdhënës dhe nxënës të komuniteteve të ndryshme në Kosovë.

Në vitin 2017 dhe 2018 dhe 2022 mësimdhënësit Besnike Bislimi dhe Merita Gagica-Krasniqi dhe Ekrem Mustafa janë zgjedhur mësimdhënësit më të dalluara në nivel të Komunës së Novobërdës dhe njëherit kanë përfaqësuar komunën në MAShT  për Çmimin Kombëtar Shaban Jashari.

Në vitin 2018 shkolla jonë është fituese e grantit 10 mijë dollarë, ku nga ky grant, pas 71 vitesh është boturar revista e shkollës me 2 numra, janë mbajtur  dy trajnime  për ngritje profesionale  për mësimdhënës, janë vendosur  kamerat në shkollë dhe jashtë saj, nxënësit nga klasa e VI-IX janë dërguar në vizitë edukativo-arsimore në Prekaz, Prizren dhe te Bifurkacioni, gjithashtu janë blerë edhe mjete didaktike mësimore.

Të gjithë mësimdhënësit janë trajnuar dhe punojnë sipas metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Pesë mësimdhënësve iu ka vazhduar licenca me vlerësim të performancës nga Inspektorët e Arsimit në Gjilan.

Nga Banka Botërore, shkolla i ka fituar dy grante, ku kanë kontribuar në mësimdhënie dhe nxënie cilësore.

Zhvillimi i mësimit në kushtet e Pandemisë COVID-19

Duke ua bazuar në gjendjen në të cilën është  gjendur Kosova dhe Bota me situatën epidemiologjike me gripin COVID-19, që nga 3 marsi 2020 ka qenë  e domosdoshme dhe obligative duke u bazuar në Udhëzuesin e Përgjithshëm të MASh-it për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021 në kushtet e pandemisë COVID- 19 që të detajohet plani i veprimit. Ky plan ka ngërthyer në vete përgatitjet sipas tre skenarëve për realizimin e mësimit A, B dhe C.

Duke u bazuar në vendimin: 01/7, të datës 11.3.2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe vendimin e MAShTI-t, Ref: 25/01B, të datës 24.4.2020 nga 12 marsi 2020  deri në përfundim të vitit shkollor 2019-2020 mësimi në Kosovë u zhvillua në skenarin C. Kurse mësimi në vitin shkollor 2020/2021 filloi me vonesë, më 14.9.2021.

Që nga fillimi i pandemisë stafi i shkollës sonë ka bërë përpjekje maksimale për respektimin e masave kundër COVID-19, që shkollën ta mbajmë hapur. Shkolla jonë asnjëherë gjatë pandemisë nga viti shkollor 2020-2021 nuk është shkuar në mësim me skenarin C.

Duke u bazuar në Vendimin e MASh numër 01B-101 të datës 11.9.2020, për fillimin e mësimit në vitin e ri shkollor 2020/2021 në kushte pandemie, pika 1.2, faza e dytë e mësimit ka filluar më 21.9.2020 deri më 12.10.2021 për klasët VII, VIII , dy (2) ditë në shkollë dhe tri ditë mësim nga distancë. Këto ditë të cilët nxënësit kanë qëndruar në shtëpi mësimdhënësit kanë komunikuar me nxënës nëpërmjet rrjeteve sociale dhe platformave digjitale.

Klasa e nëntë (IX) nga data 21.9.2020 deri më  8.10.2020 mësimin e ka mbajtur nga dita e hënë deri në të enjtën nga gjashtë (VI) orë, kurse nga 12.10.2020 deri më 21.6.2021 mësimi është mbajtur nga dita e hënë në të premtën nga pesë orë mësimore në shkollë.  Lëndët të cilat nuk janë përfshirë në mësim të rregulltë, por  janë ndjekur online për klasët VI-IX janë: Ed. Fizike, Ed. Muzikore, Ed. qytetare 3 orë, kl IX;-TIK (Zgjedhore).

Në vitin shkollor 2021/2022 mësimi po zhvillohet normalisht dhe vëmendje po i  kushtohet  zbatimit të Udhëzimit Administrativ për zbatimin e kurrikulës me zgjedhje, gjithashtu në dy fusha janë shpërndarë formularët e pyetësorëve dhe intervistave te dhjetë nxënës, mësimdhënës dhe prindër, për Vlerësimin e Brendshëm të Shkollës. Grupi punues është në finalizim të revistës së shkollës, numër 3. Shkolla jonë do ta përfaqësoj komunën tonë në kuizin e diturisë, i cili do të shfaqët në RTV Dukagjini.

Në emër timin,  Këshillit të Arsimtarëve,  Këshillit të Prindërve, Këshillit të Nxënësve, Këshillit Drejtues të Shkollës, urime 75 vjetori i shkollës “Asdreni”!

Autor: Albert Mustafa

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, sot në…