
Asfaltohen rrugët në Petroc dhe Koretin
Komuna e Kamenicës ka përfunduar asfaltimin e disa rrugëve në dy prej fshatrave të saj, Petroc dhe Koretin, në kuadër të angazhimeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në çdo vendbanim.
Në fshatin Petroc, sipas kryetarit të Komunës, Kadri Rahimaj, është përmbyllur procesi i asfaltimit të disa rrugëve që ishin kërkesë e banorëve lokalë.
“Në çdo vendbanim të Kamenicës, fshat më fshat, po mundohemi të plotësojmë secilën kërkesë të qytetarëve. Kësaj here radhën e ka pasur Petroci”, ka deklaruar Rahimaj.
Në njoftimin e komunës thuhet se janë asfaltuar degëzimet e rrugës “Xhelal Sopi”, si dhe pjesë të rrugës “Flamuri i Arbërit”. Gjithashtu, është bërë edhe asfaltimi në rrugën që lidhet me lagjen “Petrit”.
Punimet kanë përfunduar edhe në Koretin, ku është rregulluar një numër i konsiderueshëm rrugësh.
Sipas kryetarit Rahimaj, investimet në infrastrukturë nuk janë vetëm një obligim administrativ, por “një angazhim moral ndaj çdo banori”.
Komuna ka njoftuar se në këtë fshat është asfaltuar rruga “Hamdi Krasniqi”, “Gurra”, “Zymeri” dhe “Selim Cana”, si dhe disa degëzime të rrugës “Rafet Isufi”, “Hoda” dhe “Gjatë”.
Po ashtu, janë përmbyllur punimet edhe në rrugët që mbajnë emrin “Ushtarët e UÇK-së”, përfshirë degëzimet, si dhe është në fazën përfundimtare asfaltimi i rrugës dhe parkingut pranë varrezave të fshatit.
Këto investime vijnë në kuadër të përpjekjeve të Komunës së Kamenicës për të përmirësuar qasjen, qarkullimin dhe jetën e përditshme të banorëve në të gjitha zonat rurale.