Asgjë nuk është treshi apo dhjetëshi krahasuar me Kaqushën dymbëdhjetëtytëshe!

11 maj 2018 | 11:19

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

O ku je Rrahman Morina hej: Të ikurit e LV-së më në fund e formuan, trashëguan subjektin politik i cili, përjashtuar disa raste, është partia e prindërve të tyre që bënin shtatë palë qejfe në kohën e kriminelit Tito dhe “humanistit” Millosheviq. Në fakt, subjektin politik e morën në formë të stafetës si në kohën e kriminelit Tito ku, Kaqusha Jashari ua dorëzoi partinë klinikisht dhe politikisht të vdekur, por që e ka një emër, Partia Socialdemokrate e Kosovës. Kjo përngjanë me një gurë mbi varr ku është emri i të varrosurit dhe disa informata të tjera, për të vdekurin. Kaqusha, një emër tipik rus e që për bazë e ka granatahedhësin shumëtytësh, u bë i popullarizuar pas Luftës së Dytë Botërore edhe në Shqipëri, sidomos në ish-Jugosllavi, për shkak të rolit të ish-BRSS-së për çlirimin e ish-Jugosllavisë.

Realisht, të ikurit nga LV-ja, deklarimin se janë për bashkim kombëtar dhe patriotë, e kishin fals me përjashtim të 3-4 vetave që kishin një përmbajtje kombëtare sikur që edhe luftuan në radhët e UÇK-së. Pas shkrirjes së disa ish-trashëgimtarëve të politikës jugosllave dhe serbe në PSDK e Kaqusha Jasharit, skena politike në Kosovë po “fisnikërohet” me një politikë nga e kaluara, por që është shumë e popullarizuar sot. Sa më shumë që ta shani luftën e UÇK-së dhe bartësit e kësaj lufte, aq më mirë do të sistemoheni në institucionet e Kosovës duke fituar poste me respekt dhe me shumë të mira materiale.

Kjo kategori i ka dyert e hapura dhe ka përparësi absolute gjatë punësimit dhe thuaja asnjëri nga ta nuk punon me rroga të buxhetit të Kosovës. Këta horra të dikurshëm e patriotë të sotëm, ose janë këshilltarë, ose ministra e më së paku bëhen ambasadorë. Realisht, nuk mund ta keni një post sot në Kosovë apo në diplomaci dhe ta keni përkrahjen e ndërkombëtarëve nëse nuk e keni një të kaluar jugosllave apo të mendësisë serbe, të jeni apo të keni qenë anëtar i UDB-së apo KOS-it, ju apo familjarët, kurse këta terakët që vetëm fiktivisht kanë pushtet në Kosovë, në fakt janë vegla të mbeturinave jugosllave dhe serbe. Në kohën e ilegales sistemi i treshes ishte mënyra më e mirë e të vepruarit dhe këtë sistem e morën edhe një pjesë e LV-së gjatë orgjive seksuale, pas aksioneve “politike”, duke e rrahur Policinë e Kosovës. Më duket se edhe Rexha i LV-së, gjatë ilegales apo luftës njihej si dhjetëshi, mirëpo Kaqusha Jashari ua kaloi dy modeleve, duke e instaluar sistemin e 12-të, duke fituar 12 deputetë me një parti, kufomë të balsamosur në kriptat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Të ikurit e LV-së e gjetën mënyrën më të mirë që me një procedurë të përshpejtuar ta legalizojnë organizimin politik duke i premtuar Kaqushës, Bajramit, se do të bëhen deputetë në zgjedhjet e ardhshme për të cilat jam shumë i sigurt se, nëse mbahen në afatin 12 muajsh, do ta kalojnë pragun zgjedhor sikur dikur FER-i! Tradita mund të përsëritet sepse, përjashtuar disa persona që nuk ishin në FER, pjesa dërrmuese ishin FER-istë sikur që edhe figura qendrore e FER-it të dikurshëm ishte edhe Zog Ahmeti, tash mbret i fronit politik të Kaqushës e që është garantues i dështimit të sigurt. Këta që fituan postin e deputetit e që hynë nën “urdhër” të Kaqushës, dezertorët, ia panë hairin LV-së dhe Albin Kurtit. Përveç se i bëri deputetë, nga dështakët si çifti i Zogut me shokë, i bëri edhe kryetarë komunash, ndërsa krahun kriminal e bëri “klub të milionerëve” që bënë pasuri përrallore me leje ndërtimi dhe kurvëri politike, me biznesmenët e kriminalizuar. Tash Albin Kurti nuk ka asnjë të drejtë t’i kritikojë të arratisurit sepse vetë ai i bëri me poste, pa e konsultuar fare partinë. Nuk është sot Albini në pozitën e Homeinit që lëshoi Fatvën kundër shkrimtarit Salman Ruzhdi e që u detyrua të fshihet dhe pjesën dërrmuese të jetës e kaloi në ilegalitet.

Këta po e sfidojnë Albinin nga qendra e Prishtinës të cilën e ka masakruar kryetari i Kaqushës, në një hotel me shumë yje dhe i cili ofron shërbime për të gjitha ata që kanë mundësi të paguajnë. Nuk ka me rëndësi se ku e kanë mbajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm sepse këta që u shkrinë në zemrën politike të Kaqushës kanë para ta mbajnë Kuvendin edhe në hotelin Burjab El Arabi në Dubai (hotel me 7 yje) dhe për këtë merita të mëdha ka vetë Albini sepse ua mundësoi ta sigurojnë “me punë të ndershme” këtë mirëqenie socialdemokrate krejtësisht modeste prej të qenit milionerë të varfër. Pastaj, anëtar i PSD-së u bë edhe “Dimitrie Tucoviqi” nga Amerika, mbase për ta fituar ndonjë tender socialdemokrat në Prishtinë sikur që është ndërtimi i institucioneve në Hajvali e që është më se e nevojshme për Hashimin, me shokë pak. Ku keni parë shtet e që nuk ka rezidenca, salla argëtimi, dhoma për ngacmime, pishina, terren për tenis dhe fushë ku praktikohet sporti tradicional shqiptar dhe kosovar, loja me guxha për çka presidenti është mjeshtër dhe doajen. Po këta patriotë të socialdemokracisë e morën vulën kombëtare duke u pajisur me pasaporta të Shqipërisë dhe duke u bërë (disa prej tyre) pronarë të tri pasaportave; të Kosovës ku janë vetëm rezidentë, të Serbisë dhe Shqipërisë ku janë shtetas. Në këtë drejtim Albini nuk është pa mëkate dhe tani po i paguan faturat duke e bërë LV-në me politikanë të skaduar mandati apo LPK-istë të konvertuar.

Kaqusha fitoi 12 deputetë në kohën kur asnjëherë nuk e kaloi pragun zgjedhor. Kur ishim të burgosur në llogorin Stara Gradishka të Kroacisë, në Kosovë zhvilloheshin ngjarje dramatike; minatorët u ngujuan në zgafelle, kurse protestuesit marshonin drejt Prishtinës duke kënduar: “nëpër borë dhe nëpër shi, oj Kaqushë oj bukuri…” e që nënkuptonte përkrahjen për të. Atëherë, ne të burgosurit politikë shqiptarë që e identifikonim Azemin si njeriun më të urryer në Kosovë i cili ishte në gjendje që flamurit kombëtar t’i vendosë edhe kokardën e Drazh Mihajlit vetëm për ta fituar simpatinë dhe bekimin e Millosheviqit, në mungesë të alternativës dhe mungesë të liderëve të guximshëm, menduam se Kaqusha do ta bënte dallimin nga e kaluara duke i prirë lëvizjes masive shqiptare.

Azemi nuk kishte koqe të bëhej lider e as që kishte përmbajtje për këtë rol. Sa po e admiroj Kaqushën për vizionin politik dhe alkiminë e kthimit të një kohe të perënduar përmes riciklimit të politikanëve të dikurshëm në trajtën e trashëgimtarëve biologjikë në PSDK, po ndiej keqardhje që në mesin tonë nuk janë Rrahman Morina, Kolë Shiroka dhe Sinan Hasani sepse, me pak përforcime si puna e Azemit me ca shokë, me një pjesë të krahut të luftës që po i nënshtrohen çdo situate dhe që ndiejnë respekt dhe nder t’u shërbejnë të lartpërmendurve, partia e tyre, nëse i kemi parasysh edhe rrethanat vendore dhe ndërkombëtare, pa asnjë dyshim do të bëhej grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Atëherë askush nuk do të merrej më me Kaqushën dhe formacioni e ri politik të PSDK-së i cili do të llogaritej si pakicë parlamentare.

Merkeli, si tregues i forcës politike në Ballkan: Në fillim gruaja më e fuqishme në botë dhe më e fuqishme se thuaja të gjithë politikanët meshkuj në botë, kancelarja Angela Merkel, kishte simpati dhe bënte përpjekje ta promovojë Edi Ramën si politikanin numër një në Ballkan, duke e lënë në hije Vuçiqin e Serbisë kurse Thaçin, as që e kishte në listën e pritjes. Më vonë Ramës iu ngatërruan punët në Shqipëri sepse nuk ishte në gjendje ta mbikëqyrë rritjen e “barit” i cili përhapej edhe në vendet fqinje, Itali në rend të parë. Ramës i nxori shumë problem edhe “gjyshi i Lazaratit”, i cili ishte në pushtet në Shqipëri thuaja 27 vjet sikur edhe “nipi” i tij i cili, sa ishte ministër, Rrugën e Kombit e shndërroi në një trajektore të një qyteze, pa treguar se ku shkuan lekët për autoudhën që kurrë, së paku deri më tani, nuk u bë autoudhë sipas standardeve ndërkombëtare e që mrekullisht shpëtoi nga burgu falë fuqisë politike dhe pozitës që e kishte sponsori i tij politik, “gjyshi i Lazaratit”.

Tash këta kusarë të Rrugës së Kombit, rrobat e palara duan t’ua veshin të tjerëve duke ua vënë flakën pikave ku duhet të paguhet taksa për shfrytëzim të autoudhës dhe e cila është në s’përputhje me mundësitë që i kanë shqiptarët. Pastaj, Edi Rama shkoi në takim me atlete të bardha sikur të ishte ftuar si i ftuar special në Rrugën e Trëndafilave në Amsterdam. Rrjedhimisht, sa binte potenca politike e Ramës, me ndihmën e viagrës ruse ala Putin, rritej potenca politike dhe besimi i kancelares Merkel te trashëgimtari politik i Millosheviqit dhe Sheshelit, te Aleksandar Vuçiq.

Kancelarja Merkel së fundi priti tre presidentët e shteteve ballkanike që ende kanë probleme të pazgjidhura dhe që mund ta rrezikojnë sigurinë e rajonit: Vuçiqin, Ramën dhe Thaçin. Kjo ishte renditja e pritjes dhe pikërisht renditja tregon fuqinë politike dhe rëndësinë që e kanë te zonja Merkel. Natyrisht se Vuçiqi mori disa detyra e që janë shumë më të lehta se ato të Thaçit, kurse nga Rama u kërkua të ketë rol neutral midis Vuçiqit dhe Thaçit apo, në rast se kërkohet nga ai, të bëjë presion pozitiv që Thaçi t’i bëjë lëshimet e duhura që e forcojnë sovranitetin e Kosovës, me ndihmën e komunave serbe në Kosovë.

Vuçiqi dhe Rama me këtë vizitë e forcuan pozitën politike brenda vendeve të veta, kurse presidenti Thaçi e shfrytëzoi vizitën zyrtare për ta shpërndarë librin: “Shteti i ri, lideri i ri – Autobiografia” e që, për të painformuarit, më duhet të them se aktualisht janë dy libra që po e tronditin botën me përmbajtjen e tyre, i pari: “Zjarr dhe tërbim” kushtuar Donald Trampit dhe e dyta autobiografia e Hashim Thaçit. Mund të më llogarisni si të marrë dhe të painformuar por, ju lutem, para këtij konstatimi, lexoni pak më shumë dhe do të bindeni edhe vetë. E keni parë ku e bënë promovimin e librit presidenti Thaçi dhe kush merr pjesë në këto promovime ku Shkëlqesia e Tij, Presidenti Thaçi, me fjalët më të zgjedhura dhe më të mençura nënshkruan librat që shkojnë si bakllavaja e Sulltan Taipit. Dhe kush e mban fjalën e rastit. Nuk është e njëjtë sikur kur Mirsadi dhe Besiani shesin libra në Sheshin “Nëna Tereza”, sikur kur Thaçi shpërndanë libra në prani të Makronit dhe kancelares Merkel. Vetëm një gjë më vjen keq kur e shoh presidentin tonë të shkëlqyer dhe shumë të dashur kur shpërndanë libra kur aty ka sherpas sakrifikues, njëri di shkrim-lexim, kurse tjetri është hamall i përjetshëm!

Asociacioni, si bisht i Demarkacionit: Me faqe të bardhë e votuam Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës, për Demarkacionin votuan 128 deputetë. Tash ka mbetur vetëm Asociacioni. Albini po thotë se Asociacionin Qeveria do ta sjellë pabesisht në Kuvend në muajin gusht, kur temperaturat janë të larta dhe deputetët janë në pushime (nga lodhja e madhe për punën që e bëjnë në mënyrë fakultative, me honorarë fantastikë). Nga aspekti i ligjeve të fizikës, Albini ka të drejtë sepse në temperatura të larta çdo gjë zgjerohet, kurse në temperatura të ulëta çdo gjë tkurret. Interpretimi shkencor thotë se në muajin gusht, për shkak të temperaturave të larta, rriten topet që rrinë të varura (jofunksionale) dhe zgjerohet prapanica që janë parakushtet kryesore që Asociacioni të kalojë pa probleme.

Unë e kundërshtoj këtë interpretim shkencor të fizikës sepse kur u votua Demarkacioni, temperaturat ishin të ulëta, prapanica do të duhej të ishte e rrudhur, mirëpo ndodhi e kundërta, u zgjerua më shumë sesa që duhej, madje edhe tek ata që mburreshin me muskujt e kësaj pjese të trupit që është përcaktuese për marrjen e vendimeve të mëdha për dallim nga platformat e deritashme të partive politike. Albini duhet ta ketë të qartë se Asociacioni nuk është përgjegjësi e Kuvendit e as që do të votohet në Kuvend, por se formohet me një vendim të Qeverisë apo, sipas Thaçit, ky Asociacion do të regjistrohet në Departamentin e MAP-it për regjistrim të OJQ-ve të reja.

Unë i besoj Thaçit, jo nga frika, por se nuk ka ndodhur kurrë që Thaçi të thotë diçka e të bëhet ashtu siç thotë. Pastaj, kjo Gjykatë Kushtetuese, gjysmë analfabete siç është, nëse ka urdhër politik, edhe macen do ta bëjë qen në interpretimin e saj dhe do të ketë plotësisht të drejtë sepse, edhe macja, edhe qeni janë të së njëjtës familje. Ma sqaroni, ju lutem, si injorant që jam, ta kuptoj interpretimin se: “marrëveshja për formimin e Asociacionit e arritur në Bruksel, përbën 23 shkelje të Kushtetutës së Kosovës, por se mund të vazhdohet me formimin e Asociacionit …”.

Është mëkat se këtë vit nuk do të ndahet Çmimi Nobel për Letërsi apo se nuk ekziston Çmimi Nobel për Budallaki sepse, me këtë formulim gjuhësor dhe me këtë formulim superidiotesk, Çmimi Nobel për të parin formulim apo për të dyja bashkë nuk do të kishte konkurrencë, do ta fitonte Gjykata Kushtetuese e cila, moralisht do të detyrohej të ndante një pjesë të këtij çmimi për shkruesin e këtij interpretimi e që është dikush nga “miqtë ndërkombëtarë”. Ne nuk kemi kapacitet të shkruajmë kësi interpretimi biseksual juridik, por jemi të pakonkurrencë ta luajmë rolin e budallait. Për një grusht parash!

Lexues të nderuar, në shkrimin tim e kam bërë një gabim të qëllimshëm, gjejeni!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”, gazetari…