ASK-ja: Në muajin korrik Kosova eksportoi mbi 40 milionë euro mallra

23 gusht 2019 | 15:45

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 5.3 për qind në muajin korrik 2019, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2018, gjegjësisht në vlerë prej 296.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 281.4 milionë euro në vitin 2018. Eksporti mbulon importin me 12.0 për qind.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, njofton se eksporti i mallrave në muajin korrik 2019 kishte vlerën 40.4 milionë euro, ndërsa importi kishte vlerë 336.8 milionë euro, që është një rritje prej 40.5 për qind për eksport, dhe një rritje prej 8.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 37.3 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.9 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.6 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.6 për qind e përbëjnë produktet bimore; 7.3 për qind e përbëjnë produktet minerale; 3.3 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.0 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import e përbëjnë: 15.1 për qind produktet minerale; 13.0 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.9 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.5 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.0 për qind mjetet e transportit; 6.8 për qind produktet e industrisë kimike; 5.9 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 13.0 milionë euro, ose rreth 32.2 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 69.2 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Austria (8.9 për qind), Gjermania (6.5 për qind), Holanda (4.0 për qind), Britania e Madhe (2.0 për qind), etj. Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 163.1 milionë euro, ose 48.4 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 28.4 për qind. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12.5 për qind), Italia (7.4 për qind), Greqia (4.6 për qind), Bullgaria (3.6 për qind), Polonia (3.1 për qind), Sllovenia (3.1 për qind), etj”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së, në muajin korrik 2019, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 16.6 milionë euro, ose 41.3 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 4.1 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (16.7 për qind), Maqedonia (10.8 për qind), Mali i Zi (6.4 për qind) dhe Serbia (6.0 për qind).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin korrik 2019, arritën në 49.2 milionë euro, ose 14.6 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-40.5 për qind). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.8 për qind), Maqedonia (6.8 për qind) dhe Serbia (0.7 për qind).

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 10.7 milionë euro, ose 26.6 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (18.2 për qind) dhe Zvicra (5.0 për qind. Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 124.4 milionë euro, ose 36.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (12.1 për qind) dhe Kina (9.7 për qind)”, thuhet tutje në njoftimin e ASK-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten është tërhequr shorti për edicionin 2019\2020 të Superligës…