ASK-ja po zbaton ciklin e tretë të Anketës së Tregueseve të Shumëfishtë (MICS) në Kosovë

18 shtator 2025 | 12:11

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në bashkëpunim me UNICEF-in, me mbështetje financiare të UNICEF-it, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, UNFPA-së dhe Zyrës së Koordinatorit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, dhe partnerëve të tjerë, po zbaton ciklin e tretë të Anketës së Tregueseve të Shumëfishtë (MICS) në Kosovë.

MICS-i është një anketë globale e ekonomive familjare, e cila është realizuar për më shumë se dy dekada në më shumë se 100 vende të botës.
Qëllimi i anketës është të mbledh informata mbi treguesit kryesorë që përdoren për të vlerësuar situatën e fëmijëve, të rinjve, grave dhe burrave.

MICS-i ofron një gamë të gjerë të informatave të nevojshme për të monitoruar zbatimin e strategjive kombëtare që synojnë ta përmirësojnë situatën e fëmijëve në Kosovë.

MICS-i zbatohet me dy anketa paralele – një që përfshin rreth 7,300 familje të popullsisë së përgjithshme dhe një tjetër me rreth 1,500 familje nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian.

Të dhënat që mblidhen kanë të bëjnë me zhvillimin e hershëm të fëmijëve, imunizimin, shëndetin, ushqyerjen me gji dhe ushqimin e foshnjave, arsimin e fëmijëve, martesat e hershme, shëndetin riprodhues të grave, kushtet e jetesës së familjeve, përdorimin e energjisë në familje etj.

Në terren, MICS-i zhvillohet nga ekipe të përbëra nga katër deri në pesë intervistues, një mbikëqyrës dhe një matës antropometrik, të caktuar për ta vizituar një numër specifik të familjeve.

Intervistuesit e MICS-it do ta identifikojnë veten duke ua treguar letrën e autorizimit dhe kartat identifikuese të tyre, të lëshuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Intervistuesit do t’ua japin fletushkën që ofron një përmbledhje të asaj se çka është MICS-i dhe pse po zhvillohet në Kosovë.

Intervistuesit pritet t’i vizitojnë familjet gjatë periudhës 8 shtator deri më 30 nëntor 2025.

MICS-i është zhvilluar për herë të parë në Kosovë në vitin 2013-2014 dhe është përsëritur në 2019-2020.

Të dhënat e mbledhura nga këto anketa kanë qenë thelbësore për politikëbërje, planifikim strategjik dhe sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve.

Edhe ky raund i MICS-it do të sigurojë informata që do ta mundësojnë matjen e progresit të arritur që nga viti 2020.

Gjithashtu, treguesit e MICS-it do ta informojnë zhvillimin dhe monitorimin e strategjive kombëtare dhe do të përdoren nga të gjitha institucionet relevante të Kosovës dhe partnerët zhvillimorë për vendimmarrje dhe zhvillim të politikave të bazuara në evidencë.

Ashtu siç do ta theksojnë edhe intervistuesit, gjatë intervistave në familjeve, respondentët sigurohen para së gjithash se çdo gjë që thonë do të mbetet rreptësishtë private dhe konfidenciale.

Përgjigjet në të gjitha pyetjet do të përdoren vetëm për qëllime analitike/statistikore.

Informatat e grumbulluara do të përdoren posaçërisht për të kuptuar më mirë çështjet që janë të rëndësishme për mirëqenien e fëmijëve, grave, burrave dhe familjeve, siç janë: kujdesi shëndetësor për fëmijët e porsalindur dhe nënat, të ushqyerit, zhvillimi në fëmijërinë e hershme, arsimimi, karakteristikat e ekonomisë familjare etj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari,…