Konferenca e nismës ShBA-Karta e Adriatikut mbahet në Tiranë, Jashari: Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj nisme

18 shtator 2025 | 12:06

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në Konferencën e 28-të, të nismës ShBA-Karta e Adriatikut A5. Kjo konferencë është realizuar në Tiranë, ku pjesëmarrës kanë qenë shefat e Mbrojtjes të vendeve fqinje dhe agjutantët e përgjithshëm të gardave kombëtare.

Në njoftimin e FSK-së është thënë se konferenca është udhëhequr nga Komandanti i Komandës Amerikane për Evropë, komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë dhe bashkëkryesuar nga Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.

Sipas këtij njoftimi, Jashari ka theksuar nevojën dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë nismë dhe se, ky veprim do të sillte më shumë paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor.

Njoftimi i plotë i FSK-së:

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari mori pjesë në Konferencën e 28-të, të nismës ShBA-Karta e Adriatikut A5

Konferenca e 28-ta me radhë është realizuar në Tiranë, ku ishin pjesëmarrës Shefat e Mbrojtjes të vendeve fqinje dhe agjutantët e përgjithshëm të gardave kombëtare, të cilët kanë partneritet me shtetet përkatëse të rajonit. Kjo konferencë është udhëhequr nga komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM), Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) dhe bashkëkryesuar nga Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.

Në margjinat e kësaj konference u theksua rëndësia e rritjes së bashkëpunimit rajonal në favor të ballafaqimit me sfidat e sigurisë. Gjithashtu u diskutua edhe rëndësia e bashkëpunimit civilo-ushtarak, në kontekstin e adresimit të sfidave të sigurisë shumë dimensionale.

Gjatë adresimit, GLT Jashari edhe kësaj radhe theksoi nevojën dhe rëndësinë e anëtarësimit të Republikës së Kosovës si anëtare me të drejta të plota në këtë nismë. Ky veprim do të sillte më shumë paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu në kuadër të konferencës, KOMFSK ka realizuar takimet bilaterale me Komandantin e Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM) dhe njëherit Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR), gjeneral Alexus G. Grynkewich, si dhe me shefin e shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingjin.

Në fund të konferencës të gjitha shtetet pjesëmarrëse u pajtuan që nisma të tilla i shërbejnë sigurisë rajonale dhe adresimit të sfidave të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Paul Williams ka deklaruar se Bujar Bukoshi hezitonte që…