Enver Hoxhaj në Berlin: Angazhimi i BE-së dhe NATO-s në Ballkan mbetet jetik për paqen dhe sigurinë
Deputeti dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në një debat të nivelit të lartë në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Berlin, me temën “Angazhimi i besueshëm në Jug”.
Në këtë panel, Hoxhaj ishte së bashku me gjenerallejtënant Iulian Berdila, Zëvendësshef i Mbrojtjes për Operacione dhe Trajnim në Rumani, dhe gjenerallejtënant Nuno Lemos Pires, Drejtor i Politikës Kombëtare të Mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes të Portugalisë. Debati u moderua nga Javier Colomina, Përfaqësues i Posaçëm i NATO-s për Fqinjësinë Jugore.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Hoxhaj ka theksuar se bota po kalon një periudhë tranzicioni, ndërmjet një rendi botëror që po shpërbëhet dhe një rendi të ri që ende nuk ka marrë formë.
Ai ka vlerësuar se dobësimi i institucioneve ndërkombëtare dhe ambiciet perandorake të Rusisë e bëjnë të domosdoshëm një rol më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në Ballkan, përfshirë edhe në fushën e sigurisë.
Hoxhaj ka theksuar se për Kosovën dhe rajonin, angazhimi i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian dhe NATO-s mbetet jetik për ruajtjen e paqes dhe të ardhmen euroatlantike.



